Site icon Prishtinapress

Përfundon takimi në Shtëpinë e Bardhë, Hoti konfirmon se ka dakordim për një marrëveshje nesër

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë përfunduar takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë.

Hoti në një konferencë para media ka thënë se nesër pritet të finalizohet diskutimi që kanë pasur delegacionet e shteteve gjatë dialogut në Uashington.

“Jemi takuar me O’brien dhe Grenell. Kishim një takim me presidentin serb gjithashtu. Nesër presim të finalizojmë këtë diskutim që patëm sot”, është shprehur Hoti.

Tutje, Hoti u shpreh i bindur se nuk ka marrëveshje të dëmshme që propozohet nga Shtëpia e Bardhë.

“Një gjë mund t’iu them që marrëveshje të dëmshme dhe të papranueshme asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë”, ka thënë Hoti.

“E kemi bërë një progres në çështjet ekonomike dhe kemi bërë një hap të madh”.

Gjithashtu, Hoti deklaroi se nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë cështja e diskutimit të territoreve.

“As nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë çështja e shkëmbimit të territoreve”, ka thënë Hoti.

“Ju nesër do të shihni marrëveshjen sepse kështu është diskutuar”, shtoi Hoti.

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të enjten po zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Nikoqirë të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.
Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

Exit mobile version