Site icon Prishtinapress

Përfaqësuesit e MDIS-it, takohen me rrjetet e juristëve dhe avokatëve të diasporës

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në kuadër të planit të punës për vitin 2019, në bashkëpunim me misionet diplomatike, ka zhvilluar takime  me rrjetet e juristëve/avokatëve të diasporës në Gjermani: në Munih, Frankfurt dhe Berlin, si dhe në Zvicër: në Gjenevë, Bernë dhe Cyrih. Qëllimi i këtyre takimeve ishte nxitja e  themelimit të shoqatave të avokatëve shqiptaro-gjermane, përkatësisht zvicerane.

Në takimet  me juristë/avokatë të diasporës në Gjermani  dhe Zvicër është diskutuar rëndësia e organizimit të diasporës, në veçanti organizimi i profesionistëve, përkatësisht i avokatëve dhe juristëve të diasporës në struktura formale si shoqatë, përmes së cilës do të krijohej një mundësi shumë më e lehtë e bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe institucioneve të Kosovës. Po ashtu, kjo formë e organizimit do të mundësonte edhe identifikimin e profesionistëve të fushave përkatëse, meqë do të kishte një adresë të përbashkët.

Organizimi dhe themelimi i Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Gjermanë/Zviceranë ka  rëndësi të shumëfishtë për avokatët dhe juristët e diasporës. Përmes saj, do të krijoheshin njohje  që do të rezultonte me bashkëpunim më të ngushtë mes komunitetit shqiptar që jeton në diasporë. Po ashtu ,kjo formë e organizimit do të mundësonte një partneritet në  bashkëpunim edhe me institucionet shtetërore.

Të pranishmit në këto takime u zotuan se, në koordinim edhe me avokatë/juristë të tjerë që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani dhe Zvicër, do të ndërmarrin veprime të nevojshme për themelimin e shoqatave  të vokatëve shqiptaro-gjermane në Gjermani dhe shqiptaro- zvicerane në Zvicër.

Po ashtu, ata u zotuan se ky proces do të përmbyllet në vitin 2020, kështu që deri atëherë palët e përfshira do të bashkëpunojnë që t’i identifikojnë juristët dhe avokatët në diasporë.

Exit mobile version