Site icon Prishtinapress

Përçahet Komisioni për Matjen e Territorit

Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Matjen e Territorit të Kosovës janë përçarë në mes vete dhe tani nuk dihet nëse do të ketë “epilog” ashtu siç ka pretenduar Qeveria që në shkurt të ecet përpara me ratifikimin e Demarkacionit. Disa nga anëtarët e këtij Komisioni asnjëherë nuk kanë marrë pjesë në mbledhje.

Komisioni Shtetëror për Matjen e Territorit, i emëruar nga Qeveria e Kosovës më 24 janar të këtij viti, ende nuk e ka përfunduar punën. Madje anëtarët e këtij Komisioni tashmë janë përçarë mes vete dhe tani nuk dihet nëse do të ketë “epilog” ashtu siç ka pretenduar Qeveria. Kjo e fundit shpreson që Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi të ratifikohet këtë muaj në Kuvend, në mënyrë që të zihet hapi për liberalizim të vizave gjatë këtij viti.

Por, disa nga anëtarët e këtij Komisioni i cili drejtohet nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Hivzi Islami, nuk kanë pranuar të jenë pjesë e “matjes së territorit” edhe pse janë emëruar në këto pozita.

Gjersa disa prej anëtarëve i kanë thënë “Zërit” se takimet e këtij Komisioni janë të rregullta dhe se gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi i radhës, të tjerët kanë thënë se nuk janë fare të informuar rreth asaj se kur do të përfundojë matja e territorit.

Kjo pasi, sipas tyre, Komisioni në fjalë thirret në profesionalizëm, por që aty nuk ekziston profesionalizmi. Nga ana tjetër, përderisa zyrtarë të ekzekutivit janë zotuar se Qeveria do të bëjë çmos që kjo marrëveshje të kalojë gjatë këtij muaji, opozita është shprehur e bindur se kjo marrëveshje do të dështojë sërish nëse dërgohet në Kuvend.

Exit mobile version