Site icon Prishtinapress

Përballja e Ramush Haradinajt me pyetjet e avokatit në Gjykatë, për rastin “Veteranët”

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe Rifat Gashi, polic hetues në departamentin e krimeve të rënda, të mërkurën, janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të dëshmuar për rastin e njohur si ”Veteranët”. Haradinaj dëshmoi në cilësinë e ish-Komandantit të UÇK-së në Zonën e Dukagjinit.

Në cilësinë e ish-Komandantit të UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dëshmuar në gjykimin e rastit të njohur si ”Veteranët”, raporton RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.

Avokati i Shkumbin Demaliajt,  Arianit Koci, e pyeti Haradinajn për lidhjen e tij me këtë të fundit dhe kërkesat që kishte si komandant zone në atë kohë, e Haradinaj me këtë rast tha se Demaliaj është një person i ndershëm madje ka edhe një vëlla dëshmor.

“Shkumbin Demaliaj ka një vëlla të rënë dëshmorë. Babo po se po, por e gjithë familja e tij ka qenë në UÇK”, ka deklaruar Haradinaj para gjykatës.

Kurse dëshmitari i dytë, Rifat Gashi, policë hetues në departamentin e krimeve të rënda Prishtinë, deklaroi se me urdhër të prokurorit janë bastisur zyrat e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës  së UÇK-së./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version