Për tre vjet FKGK-ja ka dhënë 100 milionë euro kredi për biznese të vogla dhe të mesme

0
34

Në përvjetorin e tretë të themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore(FKGK), u tha se për këtë periudhë janë dhënë 2 mijë e 560 kredi për biznese të vogla dhe të mesme, në vlerë rreth 100 milionë euro, që krijuan 3 mijë e 740 vende të reja të punës në Kosovë.

Me këtë raste zëvëndësministri i Financave, Fatmir Gashi tha se përmirësimi i ambientit të të bërit biznes mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës. Gashi tha se FKGK është shpresë për bizneset e reja, transmeton KP.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt tha se Fondi është storie suksesi, dhe Gjermania vazhdon ta mbështesë këtë, veçmas në sektorin e bujqësisë.

“Ne kemi vënë një fokus të veçantë për bujqësi dhe kush do që ka ide biznesi, ide për ferma, duhet t’ju ndihmojnë në vegla dhe për kushte në bujqësi, që të bëhen fermerët storie suksesi. Kjo ka të bëjë me zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë”, tha Heldt, duke shtuar se Gjermania për këtë vit do të ndajë edhe 6.5 milionë euro.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, me këtë rast tha se Fondi ka shërbyer për qasje të NVM-ve në financa për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe punësim.

Mehmeti tha se është me rëndësi që Fondi të rrisë aktivitetin e saj kredidhënës.