Site icon Prishtinapress

Për të tretën herë Çekia ia ‘mërdhin’ Serbisë për Kosovën

Republika e Çekisë për të tretën herë ia bën me dije Serbisë se nuk tërheqje të njohjes së Kosovës, siç po pretendojnë ata.

Ministria e Punëve të Jashtme e Çekisë, përmes një komunikate ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Çekisë Milos Zeman i cili tha se do të përpiqet që të tërheqë njohjen ndaj Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri, është thënë se njohja ndaj Kosovës nuk mund të tërhiqet pasi është e rregulluar me ligj (de jure).

MPJ e Çekisë ka thënë se ky shtet e ka njohur Kosovën dhe se Republika Çeke nuk e ka tërhequr kurrë njohjen e asnjë shteti, deri më tani.

“Qeveria Çeke njohu Republikën e Kosovës dhe në të njëjtën kohë dha pëlqimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ishte një njohje de jure, d.m.th. njohje e një shteti i cili është plotësisht dhe përfundimisht në përputhje me pikëpamjet e ligjit ndërkombëtar. Republika Çeke asnjëherë deri më tani nuk ka tërhequr njohjen e asnjë vendi”, është thënë në një deklaratë të MPJ-së së Çekisë, në faqen e saj të internetit, përcjell Telegrafi.

Deklarata kujton se Kosova është njohur gjithashtu nga rreth 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe gjithashtu është pranuar në disa organizata ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar ose Banka Botërore.

“Republika Çeke ka një interes të padyshimtë në ruajtjen e marrëveshjeve ndërkombëtare me Republikën e Kosovës, përfshirë detyrimet që rrjedhin prej tyre për të dy palët”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, mediumi serb kujton se Vaclav Klaus dhe Milos Zeman kanë qenë kundërshtarë të vazhdueshëm të njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe të dy kanë bllokuar emërimin e një ambasadori Çek në Prishtinë.

Po sipas këtij mediumi, mediat paralajmërojnë se nëse Republika Çeke tërheq njohjen, problemet me këto marrëveshje bilaterale do të shfaqen dhe nuk do të jenë në gjendje të kërkojnë që dispozitat e tyre të përmbushen.

Premisat se Zeman mund të ketë sukses në “iniciativën” e tij gjithashtu janë “shuar” së fundmi, pasi që kryeministri çek Andrei Babisch tha se do të flasë për këtë me Zeman dhe përfaqësuesit e të dy Dhomave të Parlamentit në mbledhjen pas një muaji për koordinimin e politikës së jashtme, por se nuk sheh asnjë arsye që Republika Çeke të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj njohjes së Kosovës.

Exit mobile version