Site icon Prishtinapress

Pengmarrja që tronditi Shqipërinë

Historia e plotë e marrjes peng të Jak Prengës më 17 janar, dhe gjithë ngjarjet që rrodhën më pas. Një krim që ka si shkak, 300 kg kokainë. Kronika e një ngjarjeje që shkon nga Kamza në Shijak, nga Ekuadori në Londër, e që përfshin grupet më të fuqishme të trafikut në vend

Paraditen e 17 janarit, një person telefonoi policinë, ku raportoi se kishte ndodhur një rrëmbim në Kamëz. Pak minuta më vonë policia konfirmoi se ishte rrëmbyer Jak Prenga dhe si shkak u dha sherri për një makinë.

Por përgjimet e policisë, zbuluan se si disa grupe kriminale në Shqipëri dhe jashtë vendit, kishin urdhëruar rrëmbimin e Jak Prengës, pasi vëllai i këtij të fundit nuk kishte dorëzuar sasinë prej 300 kg kokainë në Britaninë e Madhe.

6 grupe kriminale

Një grup kriminal në Shijak, një tjetër në Durrës, dy grupe në Shkodër dhe një grup kriminal në Vlorë, si dhe një shqiptar i shumëkërkuar në burgjet e Ekuadorit, dyshohet se u angazhuan dhe porositën rrëmbimin e Jak Prengës, në mënyrë që t’i bënin presion vëllait të tij, për të dorëzuar sasinë e kokainës.

Ka të dhëna se sasia e kokainës mbahej peng nga vëllai i Jak Prengës, Ndrek Prenga, vëllai tjetër, që është në Angli, dhe nuk ishte dorëzuar te porositësit në Britaninë e Madhe. Kjo shqetësoi grupet kriminale që kishin porositur kokainën në Amerikën Latine, mes tyre Dritan Rexhepin, të cilësuar si ndërlidhësin mes shqiptarëve dhe kolumbianëve. Dritan Rexhepi akuzohet për vrasjen e dy policëve në Shqipëri, por sot ndodhet në burgun e Ekuadorit, pikërisht se është arrestuar gjatë një operacioni kokaine. Rexhepi mendohet se ka dhënë urdhrin përfundimtar për rrëmbimin e Jak Prengës. Vëllezërit Hajri nga Shijaku, ishin ata që zbatuan porosinë, rrëmbyen Jak Prengën. Dyshohet se edhe disa persona të grupit Doçi nga Shkodra janë angazhuar në këtë rrëmbim, ndërsa dijeni mendohet se ka patur edhe një grup i fuqishëm kriminal në Vlorë.

“Jam Gentjan Doçi nga Shkodra, mos bëni gabim të prekni sasinë e kokainës pasi janë gjërat e mia dhe duhet t’m’i ktheni mbrapsht”.

Kjo besohet sipas burimeve policore se është telefonata që ka bërë Doçi në drejtim të Ndrek Prengës që ishte në burg dhe që është vëllai i të rrëmbyerit. Ndreka i ka thënë që unë jam në burg por do flas me A. dhe G. Shullanin dhe do i sqaroj gjërat. Pas disa ditësh Ndrekën e ka telefonuar një person tjetër që i është prezantuar si Gramozi nga Vlora (Dritan Rexhepi) i cili i ka thënë “mos bëni gabim të luani gjërat tona”.

Pse vdiq Jak Prenga?

Jak Prenga u dhunua gjatë rrugës nga Kamza në Shijak. Atij i ishin hequr rrobat dhe nga gjakderdhja dyshohet se humbi jetën dhe autorëve, siç duket, situata u ka dalë nga kontrolli pasi nuk donin ta vrisnin. Ai u rrëmbye vetëm për t’i bërë presion vëllait në Angli për kokainën, por vëllezërit Hajri dyshohet se nuk e kanë menaxhuar dot situatën, duke i shkaktuar vdekjen.

Konflikti që solli pengmarrjen

Astrit Prenga, dyshohet se punonte në Angli me drogë. Ai kontraktohej shpesh nga një anglez, për të nxjerrë sasitë e kokainës nga porti i Portsmuthit. Në muajin dhjetor të 2019-s Astrit Prengës iu kërkua që të nxirrte nga porti 283 kg kokainë. Prenga e ka nxjerrë kokainën, por anglezit i ka kërkuar t’i bëjë edhe pagesat e prapambetura, ndryshe nuk do ia dorëzonte kokainën. Anglezi i ka thënë se kokaina nuk ishte e tij, por e një shqiptari tjetër. Më pas, anglezi ka lajmëruar në Ekuador Dritan Rexhepin. Ky i fundit ka telefonuar Astrit Prengën dhe i ka kërkuar që të dorëzojë kokainën. Prenga i ka thënë se nuk e njeh dhe që punën e ka me anglezin. Në disa telefonata Dritan Rexhepi e ka paralajmëruar Astrit Prengën se do kishte pasoja, duke i thënë se droga ishte e tij dhe e vëllezërve Doçi nga Shkodra, por sërish kokaina nuk u dorëzua. Më pas, gjithnjë sipas versionit të policisë, dyshohet se Dritan Rexhepi ka komunikuar me Doçin në Shkodër, ku kanë planifikuar rrëmbimin e një prej vëllezërve të Astrit Prengës. U vendos për vëllain e madh, Jak Prengën. Për rrëmbimin iu la porosi vëllezërve Hajri në Shijak, të cilët kishin për detyrë rrëmbimin dhe dhunimin deri në dërgimin e një mesazhi Astrit Prengës. Siç duket situata doli nga kontrolli dhe Jak Prenga humbi jetën.

Kompleksi Golden, Eldorado në mes të hiçit

Kompleksi Golden i vëllezërve Hajri, ndodhet rreth 3 kilometra larg Shijakut, në fshatin Pjezë komuna Xhafzotaj. Një objekt tejet luksoz, i cili bën kontrast të fortë me pamjen përreth. Duket si një oazë i ngritur në mes të asgjësë. Por, komleksi Golden, nuk ka qenë dhe aq i panjohur megjithëse nga Tirana e ndajnë më shumë se 25 kilometra. Në profilin e këtij biznesi në Facebook, do shohësh mjaft këngëtare, artistë apo të tjerë nga bota e spektaklit që kanë qenë pjesë e aktiviteteve që organizoheshin atje. Biznesi rezulton në emër të Altin Hajrit, një prej djemve të Bajram Hajrit, dhe ky i arrestuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jak Prengës.

Kompleksi Golden, është ndërtuar që në vitin 2004, dhe megjithëse bie në sy për luksin dhe vlerën e madhe të ndërtimit, asnjëherë nuk është kontrolluar nga organet përkatëse megjithëse pronarët e tij dyshoheshin për aktivitet kriminal, kryesisht në Itali. Në këtë kompleks kryheshin deri në 170 dasma në sezon, dhe qarkullohej një xhiro vjetore prej 500-800 milionë lekë të vjetra në vit.

Vlera totale e objektit sipas deklarime kap një shifër prej pesë milionë eurosh, ku 4.4 milionë euro ka kushtuar vetëm ndërtesa. Ende nuk dihet se përse ekzekutuesit e rrëmbimit kanë menduar ta dërgojnë pengun në këtë kompleks, ku ishin jo vetëm lehtësisht të identifikueshëm, por ishte dhe një ambient i tejmbushur me kamera vëzhgimi. Siguria ndoshta vinte dhe nga fakti, se në kompleksin e tyre nuk kishte hyrë kurrë policia. Duket që kanë pasur mbështetje politike, pasi në përgjithësi rrëmbyesit nuk veprojnë në këtë mënyrë. Ata gjejnë ndërtesa të tjera larg zonës së tyre të veprimit, për të hequr çdo lloj dyshimi nga ana e policisë.

Aktiviteti

Por si u ngrit perandoria e vëllezërve Hajri. Mediat italiane shkruajnë se i pari që shkoi në Itali, në qytetin e Padovas në fillim të viteve 2000 ishte Altin Hajri, i cili më pas u ndoq nga vëllai i tij Emiljani.

Në vitin 2010 në shtetin fqinj Itali sekuestrohen rreth 20 kilogramë heroinë në qytetin e Breshias. Më pas dhe 10 kilogramë të tjera në qytetin e Padovas, ndërkohë në zonën e Roverchiaras në një laborator sekuestrohen 300 kilogramë të tjerë. Rrugës ishin përgatitur dhe 450 kilogramë të tjerë për t’u trafikuar. Hetimet e mëpasshme, i çuan hetuesit italianë në gjurmët e vëllezërve Hajri, që nga refugjatë klandestinë tashmë kishin organizatën e tyre. Mediat italiane i përshkruajnë si shumë diskretë.

Altin Hajri në këtë kohë rikthehet në Shqipëri duke e drejtuar organizatën nga vendlindja. Paratë i sjellin pak e nga pak me anë të korrierëve ndërkohë që një pjesë e tyre ishin investuar në kompleksin Golden. Përveç linjës së Italisë, duket se vëllezërit Hajri e kanë zgjeruar akoma dhe më shumë aktivitetin, duke hyrë tashmë dhe në trafikun e kokainës, që vinte nga Ekuadori drejt Britanisë së madhe ose vendeve të tjera të BE-së, duke luajtur njëkohësisht dhe rolin e ekzekutuesve siç ishte dhe rasti i Jak Prengës.

Skenari

Duket si një skenar fiction, i denjë për Narcos, por ja që ka ndodhur. Në një ambient jo më shumë se 20 kilometra nga Tirana, luksoz dhe i pakontrolluar asnjëherë nga policia, i pahetuar asnjëherë nga tatimet apo pastrimi i parave.

Aktiviteti i vëllezërve Hajri njihej nga policia, madje Altin Hajri për disa kohë ishte në kërkim dhe nga Interpoli, por sërish ata kanë vijuar të qetë të jenë aktivë madje në trafik dhe veprimtari të tjera. Një rast i cili flet qartë dhe për mbështetjen që kanë pasur nga qarqe të larta të politikës. Altin Hajri është arrestuar vetëm një herë në vitin 2013, dhe megjithëse ishte dokumentuar veprimtaria e tij, sërish u lirua dy ditë më pas. Dhe nuk janë të vetmit. Kanabizimi masiv i viteve 2016-2017 po sjell në vëmendje një tjetër fenomen.

Paratë e fituara në atë kohë po investohen në trafikun e drogës së fortë, si kokaina, një aktivitet i cili po prodhon çdo ditë e më shumë viktima. Pallate apo qendra tregtare që ngrihen nga kompani me 7 apo 8 mijë euro kapital, dhe nuk hetohen. Burgjet janë tejmbushur me përdorues kanabisi, apo për krime të tjera të lehta, por ata që drejtojnë fijet e narkotrafikut vazhdojnë të enden të lirë, dhe t’i bëjnë karshillëk pjesës së ndershme të shoqërisë e cila mezi mbyll muajin. Flasim përditë për reforma, dhe strategji por sërish drita duket e largët në fund të tunelit. Provat janë aty, të qarta nën dritën e diellit, vetëm se duhet vullnet politik për t’i dërguar para bankës së të akuzuarve, vullnet i cili duket se mungon.

Dritan Rexhepi, drejton trafikun nga Ekuadori

Dritan Rexhepi, prej gjashtë vitesh po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në Quito Ekuador. Ai nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, jo vetëm shqiptare por dhe të disa shteteve të tjera. Ai dyshohet që të jetë dhe një nga urdhëruesit kryesor për rrëmbimin dhe më pas ekzekutimin e Jak Prengës, si dhe ka bërë bashkërendimin e punëve mes trafikantëve të Amerikës latine dhe atyre shqiptarë.

Emri i tij i mëparshëm rezulton të ketë qenë Gramoz, por ai e ndryshon këtë emër në gjendjen civile të qytetit të Vlorës, ku madje arrin të modifikojë edhe vendlindjen, duke u regjistruar nga i lindur në fshatin Velçë, i lindur dhe banues në Vlorë. Dritan Gramoz Rexhepaj e nisi karrierën kriminale në moshën 19-vjeçare ku besohet se u pajtua për të vrarë policin Durim Kasmi dhe Ramazan Bakiun, një ekzekutim që ndodhi në vitin 1999 në qendër të Krujës. Të dy ata u qëlluan me breshëri automatiku me 37 plumba, thotë akt-ekspertimi i asaj kohe i Policisë së Shtetit, të cilin gazeta “Si” e disponon. Njëri nga shënjestrat vdiq menjëherë në vendngjarje, ndërsa i dyti ndërroi jetë 11 ditë më vonë.

Ai u vendos nën akuzë së bashku me dy persona të tjerë po nga qyteti i Vlorës për vrasje për shkak të detyrës së efektivëve të Policisë së Shtetit, por rrugës drejtësia ia lehtësoi akuzat duke e konsideruar një krim të thjeshtë dhe jo për shkak të detyrës. Por, Dritan Rexhepaj është një emër mjaft i lakuar në disa shtete gjatë dy dekadave të fundit për krime të ndryshme, si: vjedhje bankash, arratisje, trafik droge e të tjera. Është arratisur disa herë nga burgjet, në Itali, Spanjë dhe Belgjikë.

Gentian Doçi, nga kanabisi te kokaina

Gentjan Doçi, është një emër tjetër i shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe më pas vdekjen e Dodë (Jani) Prengës brenda kompleksit Golden në fshatin Pjezë të Shijakut. Nuk është një emër i panjohur për drejtësinë.. Gentjan Doçi është nga krahina e Dukagjinit, po ka zbritur në Shkodër në vitet ‘90 në zonën industriale. Burime shprehen se aktiviteti i tij fillon në shtetin fqinj Itali, ku është marrë kryesisht me vjedhje. Më pas është kthyer në Shqipëri ku, policia dyshon se ka qenë i përfshirë në kultivimin dhe shitjen e kanabisit në zonën e Dukagjinit.

Doçi sipas burimeve zyrtare, mendohet të jetë dhe personi që ka kontaktuar me Astrit Prengën, i cili ndodhet në burg në Angli me akuzën e trafikut të narkotikëve. Gentjan Doçi, ka qenë jo vetëm një prej investitorëve por edhe garanti se droga do të shkonte në destinacion. Por diçka shkoi keq. Astrit Prenga, nuk e ka dorëzuar sasinë prej rreth 300 kilogramë të kokainës që vinte nga Ekuadori, duke ndryshuar rregullat e lojës në mes të rrugës. Atëherë, është urdhëruar dhe rrëmbimi i vëllait të madh të familjes Prenga. Nga Anglia, Astrit Prenga sikurse del nga përgjigjet ka pyetur Gentjan Doçin se ku e ka të vëllanë, dhe ai i është përgjigjur “ti e di mirë se ku e ke”. Fakti që e vetmja pikë kontakti e Astrit Prengës ka qenë Doçi, e ka shtyrë policinë të mendojë se Doçi, e ka rekomanduar Prengën te grupet e tjera duke u bërë dorëzanës për të. Është një histori e ngjashme me ato të rrëmbimeve në Amerikën latine. Kur hyn në mes paraja, punët i zgjidh vetëm plumbi ose kërbaçi. Kjo ndodhi dhe me Jani Prengën, i cili kishte në zotërim një mobilieri në zonën e Kamzës, dhe kishte ndenjur larg punëve të vëllezërve të tij.

Të arrestuarit nuk pranojnë akuzën: E kemi mbyllur resortin

Rrëmbimi i Prengës, u krye më datë 17 janar, dhe policia beson se ai ka vdekur që atë ditë. Me gjithë kërkimet disaditore, ende forcat e policisë nuk kanë mundur të gjejnë trupin. Pra, prova kryesore ligjore, që do të mund të gozhdonte të arrestuarit nuk është gjetur ende, megjithëse kërkimet po kryhen intensivisht. Personi që mendohet se është në krye të ekzekutimit të rrëmbimit Altin Hajri, dhe vëllai i tij Emiljano Hajri janë ende në kërkim nga policia.

Ndërkohë Gjykata Penale ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 të arrestuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Jak Prengës. Të qetë dhe madje të buzëqeshur dolën para gjykatës, Leonard Hajri 36 vjeç, (i dënuar më parë) babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri i tij Elton Hajri 32 vjeç, një tjetër anëtar i familjes, Festim Bexhdili dhe shoku i tyre i ngushtë Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak. Ndërkohë në kërkim janë edhe 10 të tjerë, por dyshohet se të përfshirë janë edhe dy banda të tjera kriminale nga Shkodra dhe Vlora. Të arrestuarit akuzohen për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë seancës së djeshme ata i kanë mohuar akuzat duke u shprehur se resortin e mbanin të mbyllur prej tërmetit dhe se nuk e dinin se kush mund të kishte hyrë brenda.

Leonard Hajri, gjithashtu mohoi pjesëmarrjen në krim duke pretenduar se në Shqipëri nuk merrej me asgjë pasi jetonte në Itali. Jashtë ambienteve të Gjykatës, avokati i tyre Arbër Hoxha u shpreh se edhe ai e kishte parë videon ku pretendohej se të akuzuarit fusnin në një fugon trupin e pajetë të 49-vjeçarit Prenga. Sipas tij, pamjet janë bardhezi dhe të paqarta për të përcaktuar se janë klientët e tij.

Exit mobile version