0.1 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

spot_img

Pengje të Hashim Thaçit

Reformat e paralajmëruara në PDK vazhdojnë të mbeten peng i ish-kryetarit Hashim Thaçi, ndërkohë që një popull i tërë ka mbetur peng i presidentit Hashim Thaçi. Ai vazhdimisht ka thënë se vendi që udhëheq është storie suksesi dhe në rrugën e duhur, ndërkaq tash përnjëherë deklaron se ka stagnuar dhe është në gjendje të keqe. Çlirimi nga Thaçi nënkupton një mundësi të re konsolidimi për shtetin e shpresë për qytetarët

Kur presidenti i Kosovës vizitoi Liqenin e Gazivodës fundjavën e kaluar, përveç shefave të Policisë e AKI’së me vete mori edhe dy ministra të Qeverisë Haradinaj. Abelard Tahiri, dikur shef i kabinetit të Thaçit dhe Bedri Hamza e shoqëruan presidentin në atë që vetë ai e konsideroi “piknik në liqenin e mrekullueshëm të Ujmanit”, pavarësisht se atje shkoi si të jetë gjendje e jashtëzakonshme, i shoqëruar nga njësia special e policisë.

Shoqërimi i Thaçit nga dy ministrat u bë shkak i përplasjeve brenda PDK’së. Të ekzaltuar thua se po vizitonin ndonjë shtet të huaj, e jo një pjesë të territorit që thonë se e qeverisin, ata duket të mos e kishin njoftuar as shefin e partisë, e lëre më shefin e qeverisë për vizitën. Hamza u arsyetua duke thënë se kishte shkuar në veri ngase në agjendë ishte vizita pikave doganore. Por, me këtë logjikë, a nuk do të duhej që presidenti të shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm? Kjo nuk ndodhi, ministri i Brendshëm i takon një partie tjetër, jo PDK’së dhe shoqërimi i Thaçit pikërisht nga këta dy ministra nuk ishte i rastësishëm. Ishte mesazh i menduar mirë në radhë të parë për PDK’në dhe kryetarin e saj.

Është sekret publik se Kadri Veseli nuk e ka autoritetin e plotë mbi strukturat e PDK’së. Përveç se president, Hashim Thaçi vazhdon ta kryejë punën e kryetarit në hije të partisë, duke pasur ndikim të madh te deputetë dhe figura të tjera të rëndësishme partiake. Në këtë mënyrë, ai po e mban peng reformimin e PDK’në, ndërkohë që Veseli po përpiqet të bëjë hapa përpara në këtë proces.

Përtej deklaratave publike të njerëzve të PDK’së, pakënaqësitë ndaj ndikimit të Thaçit ekzistojnë, siç ekziston edhe një qasje konformiste ndaj tij e një numri të madh të zyrtarëve partiakë. Në këtë mes hyjnë edhe shumica e ministrave të PDK’së në qeverinë aktuale.

* * *

Por, Hashim Thaçi nuk po e mban peng të reformimit vetëm PDK’në. Ai me qasjen dhe veprimet e tij po i mban peng edhe institucionet, po i mban peng edhe qytetarët e vendit.

Tash sa kohë Kuvendi nuk po mund të mblidhet që të diskutojë dhe të vendosë për përgjegjësitë e Thaçit në dialogun me Serbinë. Seancat po bojkotohen nga parti në pushtet, ndërkohë që është pak e besueshme që në gjithë këtë muhabet nuk kontribuon edhe presidenti nëpërmjet ndikimit në PDK.

Pa e sqaruar sa e si duhet idenë e tij të rrezikshme të “korrigjimit të kufijve”, që tash po e quan “korrigjim i lehtë”, Thaçi po mban peng të ardhmen e vendit që e udhëheq. Përderisa deri dje thoshte se Kosova është storie suksesi, se sovraniteti i institucioneve shtetërore është shtrirë në gjithë territorin dhe se integriteti i vendit është i pacenueshëm, tash po deklaron se vendi ka stagnuar dhe, po që se nuk arrihet marëveshje për “korrigjim kufijsh”, që nënkupton shkëmbim territoresh me Serbinë, atëherë punët do t’i kemi edhe më keq.

Nëse është kështu, atëherë pse presidenti nuk ka treguar më herët se çfarë e pret vendin, por deklaronte se me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel Serbia e kishte njohur Kosovën, se me atë marrëveshje veriu do të integrohej dhe strukturat paralele do të shuheshin?

Nëse është kështu, atëherë pse e ka mbajtur peng një popull të tërë, duke thënë se vendi po përparonte, se ishte në rrugë të duhur drejt integrimeve europiane dhe se kishte mbetur vetëm njohja formale nga Serbia?

Me qasjen e tij për “korrigjim kufijsh” ai po cenon integritetin dhe sovranitetin dhe po rrezikon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit, një synim ky i vazhdueshëm i Serbisë, që pa e njohur pavarësinë e Kosovës, synon të bëjë ndarjen e saj. Fatkeqësisht, me Thaçin përkrahës të kësaj ideje të rrezikshme.

* * *

Së fundi, presidenti ka paralajmëruar se liberalizimi i vizave për kosovarët mund të shtyhet deri në vitin 2020. Është i njëjti person që para shtatë vjetësh thoshte se procesi do të përmbyllej brenda 15 muajsh, por që mbajti peng shpresat e kosovarëve për lëvizje të lirë gjithë këto vite.

Në njëfarë mënyre, të gjithë kosovarët janë peng i dëshirave të këtij personi për protagonizëm e pushtet, peng i manovrimeve të papërgjegjshme e veprimeve të tij të pamenduara, peng i marrëveshjeve me Serbinë të nënshkruara nga ai e të pazbatuara, peng i interesave të tij personale. Andaj, çlirimi nga ai nënkupton një mundësi të re konsolidimi për shtetin e shpresë për qytetarët.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles