Site icon Prishtinapress

PDK: Qeveria sërish shkel rëndë Kushtetutën dhe uzurpon pushtetin në emër të pandemisë

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një reagmim, thotë se është e alarmuar nga vendimi i fundit i Qeverisë së shkarkuar Kurti, që ka zgjedhur mos ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese duke ndërmarrë një vendim që bën të njëjtën shkelje, për të cilën është shprehur kjo gjykatë.

Kujtojmë se Gjykata vendosi njëzëri se vendimi i Qeverisë së shkarkuar, i datës 23 mars 2020, përbënte një shkelje të rëndë të lirive themelore, duke sqaruar se ligjet e posaçme për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, kurrsesi nuk i japin të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese në gjithë vendin, thuhet në reagimin e PDK-së.

Menjëherë pas hyrjes në fuqi të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo Qeveri në ikje ka marrë në mënyrë arrogante, sërish të njëjtin vendim anti-kushtetues për kufizimin e lirive të qytetarëve, ndërkohë që kjo gjë mund të bëhet vetëm me një ligj të posaçëm të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës.

Kjo Qeveri e shkarkuar jo vetëm që ka dështuar që të marrë hapat e duhur në kohë, por po vazhdon të ndërmarrë veprime kaotike, të paplanifikuara e të improvizuara, duke abuzuar rëndë me situatën e emergjencës së pandemisë.

Derisa qytetarët janë duke respektuar këshillat e profesionistëve shëndetësorë, Qeveria në ikje, e kapluar nga paniku i përkeqësimit të situatës pandemike, pa rreshtur, po vazhdon shkeljet ligjore dhe kushtetuese.

Kurrsesi nuk mund të lejohet që kjo Qeveri të manipulojë me luftën kundër koronavirusit për të tejkaluar kompetencat e saj dhe të shpërfillë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përmes ripërsëritjes së shkeljes së Kushtetutës.

Ajo që e bën akoma më të rëndë situatën, është se ndërkohë që po shkel në mënyrë të njëpasnjëshme Kushtetutën e Kosovës, kjo qeveri njëherësh po kërcënon edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, duke lejuar shtrirjen e juridiksionit shtetëror të Serbisë në veri nëpërmjet miratimit në heshtje të masave emergjente të Beogradit dhe lejimit të futjes dhe veprimit të zyrtarëve shtetëror të këtij shteti në Kosovë.

Kjo është një sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedentë, që tregon se kjo Qeveri po përpiqet të nxjerrë nga funksioni Kuvendin e Kosovës dhe t’i përqendrojë të gjitha pushtetet në duart e saj. Vendimi i saponxjerrë nga Qeveria e shkarkuar, përbën një cënim të rëndë të rendit Kushtetutës të Kosovës, prandaj Partia Demokratike e Kosovës e dënon rëndë dhe i bën thirrje institucioneve të tjera të shtetit dhe mbarë opinionit publik që të angazhohen për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe për të penguar autoritarizmin në Kosovë.

Masat që duhet të ndërmirren për luftimin dhe përballimin e suksesshëm të pandemisë, duhet të jenë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Askush nuk mund ta zhbëjë rendin kushtetues të shtetit tonë e aq më pak ata që për t’i mbuluar dështimet e tyre, në vazhdimësi kanë sjellë vendime të kundër-ligjshme dhe kundër-kushtetuese, thuhet në reagimin e PDK-së.

Exit mobile version