Site icon Prishtinapress

PDK i reagon ashpër Bekim Jasharit: Reflekto ose keq e ke punën!

Partia Demokratike Kosovës dega në Skenderaj ka reaguar, siç thotë, në lidhje me veprimet e fundit të kryetarit të Komunës së Skenderajt Bekim Jashari lidhur me largimin nga puna të zyrtarëve komunalë.
“Largimi nga puna i zyrtarëve komunalë veprim abuziv i kryetarit Jashari”, thekson kjo parti.

Dega e PDK-së në Skenderaj largimin nga puna të 6 zyrtarëve komunalë me status të shërbyesit civil, persekutimin e 3 zyrtarëve të tjerë nëpër komisione disiplinore (krejt pa arsye), ndalesat në të ardhura personale në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil, moszbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës (rasti i zyrtarit të prokurimit), tentativat që përmes një dokumenti skandaloz të kontrabandohet ndryshimi i Statutit të Komunës, i konsideron si veprime arbitrare, të kundërligjshme dhe të papërgjegjshme të kryetarit të Komunës së Skenderajt z. Bekim Jashari.

Veprimet e tilla antiligjore dhe arbitrare përveçse cenojnë praktikat e mira të ndërtuara me vite në administratën publike të Skenderajt, gjithashtu dëshmojnë orientimin për të instaluar një sistem abuziv, johuman dhe të paaftë qeverisës.

Ditën e marrjes së vendimit të paligjshëm për anulimit të konkursit të rregullt të shtatorit 2017, më të cilin largohen nga puna 6 zyrtarë komunalë, z. Jashari merr një vendim tjetër të paligjshëm dhe në dëm të buxhetit të Komunës së Skenderajt duke shpallur konkurs për marrëveshje për shërbime të veçanta për pozitat nga të cilat të njëjtën ditë janë larguar nga puna 5 shërbyes civilë të pranuar me konkurs të rregullt. Ky veprim është i paligjshëm dhe dëmton buxhetin e Komunës pasi kontratat për shërbime të veçanta paguhen nga kategoria buxhetore e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa pagat e zyrtarëve të administratës komunale duhet të paguhen nga kategoria e pagave. Ndërsa në anën tjetër, përmes reagimeve zyrtare dhe në përpjekje për t’i mbuluar veprat antiligjore në emër të fakteve, z. Jashari prezanton vendime të ndryshme të KPM-së që nuk kanë të bëjnë fare me rastin konkret.

Në kohën kur z. Jashari po largon shërbyes civilë nga puna në administratën komunale, ai po punëson në baza klienteliste, nepotise, pa asnjë kriter dhe pa konkurse të rregullta, familjarë të përfaqësuesve të subjekteve politike, për qëllime që vetëm ai i di.

Jashari në këtë mënyrë, javëve të fundit, në institucionet komunale ka punësuar pa asnjë kriter dhe pa konkurs: në QKMF bashkëshorten asambleistit të NISMA, po ashtu në QKMF djalin e asambleistit të LDK-së, në administratën komunale bashkëshorten e djalit të asambleistit të përjashtuar nga PDK dhe në arsim asambleistin e partisë Fjala.

E informojmë z. Jashari se veprimet që është duke ndërmarrë janë të papranueshme për PDK në Skenderajt, prandaj e ftojmë që të reflektojë, në të kundërtën ne do të rishqyrtojmë pozicionin tonë politik.

Ashtu siç jemi deklaruar shumë herë publikisht, ne kemi përkrahur z. Jashari në zgjedhjet lokale, por asnjëherë nuk do të përkrahim, madje do t’i kundërshtojmë fuqishëm veprimet e tij antiligjore dhe në dëm të interesit të qytetarëve të Skenderajt, thuhet në fund të reagimit.

Exit mobile version