Pavarësisht përplasjeve për Asociacionin, BE’ja fton Hotin e Vuçiqin në Bruksel më 29 shtator

0
32

Bashkimi Evropian, në cilësinë e lehtësuesit, ka planifikuar të zhvillojë takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të dielën dhe të hënën e të martën e javës tjetër, por ende nuk është e sigurt nëse këto takime do të zhvillohen.

Nga burimet në Bruksel mësohet se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tashmë ka dërguar edhe thirrjet për këto takime, por zhvillimi i tyre do të varet nga përgjigjet e Beogradit dhe Prishtinës.

Blloku evropian ka ftuar palët që, në nivel të koordinatorëve për dialog të diskutohet të dielën me 27 shtator dhe të hënën me 28 shtator, ndërsa takimi në nivelin e lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohej të martën më 29 shtator.

Edhe pse i ka dërguar ftesat për takime, BE-ja nuk e ka bërë ende publike këtë dhe nuk ka shpallur mbajtjen e ndonjë takimi. Nga BE-ja kanë përsëritur se “sapo të kenë ndonjë vendim për këtë çështje do ta bëjnë pubik” njoftimin.

Pengesa kryesore për zhvillimin e takimeve të planifikuara nga BE-ja janë qëndrimet e palëve rreth diskutimit për marrëveshjen e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që diskutohet në kuadër të temave të ashtuquajtura ,“aranzhimet për komunitetet joshumicë”.

Përderisa në Kosovë vazhdojnë të insistojnë se kjo është “çështje e kryer” dhe nuk do të diskutohet për këtë në Bruksel, delegacioni i Serbisë e ka kushtëzuar praninë në vazhdim të dialogut pikërisht me gatishmërinë e Kosovës për të diskutuar për këtë temë.

Kryeministri Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të enjten, tha se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumice serbe është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.

“Kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër me parime e vitit 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen e viti 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut”, tha Hoti.

Hoti nuk ka konfirmuar nëse takimi i ardhshëm në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i paraparë për 28 shtator, do të mbahet apo jo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten në një adresim për media, tha se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Kosovën në Bruksel, por theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është temë e pashmangshme.

Ai këto komente i bëri duke u përgjigjur në pyetjen nëse do të vazhdojë dialogu me 28 shtator.

Në ftesat e dërguara në Prishtinë dhe Beograd, për përmbajtjen e së cilave është njoftuar Radio Evropa e Lirë, BE-ja ka përmendur se propozon të diskutohet pikërisht për këtë temë si dhe të vazhdohet diskutimi për pretendimet financiare dhe pronësore mes palëve, për të cilat ishte diskutuar në takimin e fundit në nivel të ekspertëve.

Sa i përket takimit të liderëve, nëse ai zhvillohet, temat për të cilat do të diskutojnë do të caktoheshin ndërkohë.