Në vend se të çmohet e mbrohet pse i bëri ballë të keqes, mësuesi nga Drenica Ramadan Ramaj u injorua e anatemua. Ai meriton respekt e përkrahje. Mirënjohja më e madhe për të dhe për të gjithë ne është ndëshkimi i keqpërdoruesve e mashtruesve.
Ramadan Ramaj do të mund të ishte veç një mësues i zakonshëm i një shkolle fillore diku në Drenicë po t’i mbyllte sytë dhe të mos reagonte ndaj një rasti skandaloz. Një koleg i tij ua kishte përmirësuar notat 12 nxënësve (mes tyre edhe djalit të vet) në lëndën e Biologjisë, që e ligjëronte krejt tjetërkush. Ndaj këtij falsifikimi kishte reaguar Ramadani, i vendosur deri në fund që të sjellë drejtësi.
Në një mjedis si ky yni, ku notat nxënësve iu jepen shpesh dhuratë, veprimi i Ramadanit jo që nuk ishte përkrahur, përkundrazi, ishte bërë çmos që drejtësia të mos çohet në vend, madje edhe me çmimin e linçimit nga të afërm të tij. E të afërm, vëllezër të tij, kishin qëlluar të jenë drejtori i shkollës dhe auditori i Komunës.
Në vend se Ramadani të vlerësohej nga të gjithë për reagimin e tij, ai u pa si “dele e zezë” në komunitet, si dikush që ua prish terezinë atyre që luajnë të fortin dhe bëjnë çfarë të duan, pa e pasur frikën se mund të ndëshkohen.
Në vend se Ramadani të çmohej pse nuk ka heshtur përballë një padrejtësie, ai u anatemua dhe sulmua pa mëshirë. Ndaj tij u përdorën metoda të ndryshme presioni, për ta bërë që të tërhiqej nga rruga që e kishte nisur për të vënë drejtësi. Por, është i vendosur që rastin ta çojë deri në fund, ndonëse kanë kaluar dy vjet prej se ai e ka nisur sfidën e tij në kërkim të drejtësisë. Këtë po e bënte, siç e tha në emisonin “Jeta në Kosovë”, që e realizoi hulumtimin, për fëmijët, për nxënësit, për të drejtën e tyre.
Për falsifikimin kishte alarmuar institucione lokale e qendrore, polici e prokurori. Por, gjithçka kishte përfunduar me një vërejtje me shkrim për mësuesin falsifikator, i cili kishte vazhduar punën si të mos kishte ndodhur asgjë, madje ishte shpërblyer nga shkolla si mësues i dalluar.
* * *
Njerëz si Ramadani nuk kanë qëlluar të jenë edhe kolegët e tij në shkollën fillore të Tërdecit. Ata kanë zgjedhur të heshtin dhe të mos e ngrenë zërin, përballë veprimit skandaloz të kolegut të tyre, i cili shitej si i fortë dhe me lidhje të forta politike. Të tillë janë treguar edhe udhëheqës institucionesh, të cilët në vend se ta zgjidhin, janë përpjekur ta heshtin problemin. Por, Ramadani nuk është ndalur, përderisa më në fund është detyruar t’iu drejtohet mediave, për ta bërë publik rrëfimin e tij.
E rrëfimi i tij tregon shumë. Tregon për disa njerëz që të bëjnë çfarë të duan, pa e pasur frikën e ligjit. Rrëfimi i tij shpërfaq mënyrën se si funksionon sistemi arsimor në Kosovë, ku falsifikimi i notave konsiderohet “stimulim” për nxënësit, ku ditari i notave, i cili quhet i shenjtë nga mësuesit, lehtë shndërrohet në një paçavure të plotësimit të orekseve të gjithkujt. Tregon mënyrën e funksionimit të shtetit, të zyrtarëve të institucioneve të shtetit të cilët, në vend se të ndëshkojnë falsifikatorët, provojnë t’i heshtin denoncuesit.
Por, me shembullin e tij Ramadani tregon se jo të gjithë janë përfshirë në llumin e injorancës dhe nënshtrimit, jo të gjithë i janë nënshtruar kodit të heshtjes përballë dallavereve e keqpërdorimeve. Me shembullin e tij, Ramadani tregon se është një ndër mësuesit e ndershëm të këtij vendi, i cili punën për edukimin e gjeneratave të reja e konsideron të shenjtë dhe nuk pranon të bëhet pjesë e veprimeve kriminale.
* * *
Në një shoqëri të mbytur në llumin e injorancës, tipat falsifikatorë e keqpërdorues shihen si të zot, të atillë që mund të bëjnë gjithçka, të atillë që ua rrahin shpinën për bëmat e tyre, në vend se mbi shpinë të ndjejnë forcën e ligjit.
Në një shoqëri të mbytur në llumin e mediokritetit, njerëzit si Ramadani shihen jo me admirim, por me nënçmim, sepse guxojnë të veprojnë jashtë rrjedhës e në të mirë të shoqërisë.
Por, Ramadani është një patriot çfarë i duhen shumë Kosovës së ngulfatur nga patriotë të rremë, që rrahin gjoks e i bëjnë njëqind të zeza po në emër të patriotizmit. Ramadani është njeriu i mirë që jep shpresë se jo gjithçka është zi. Andaj ai duhet përkrahur, qoftë edhe moralisht.
Disa asambleistë të Drenasit e nderuan me një mirënjohje, në mënyrë simbolike. Por, Ramadan Ramaj meriton respekt e mirënjohje nga të gjithë. Ai është ndërgjegjja e qytetarit të ndershëm që nuk duron padrejtësi. Ai duhet të jetë ndërgjegjja e secilit prej nesh. E mirënjohja më e madhe për të dhe për të gjithë ne është ndëshkimi i falsifikatorëve e mashtruesve, si shenjë se shteti i së drejtës funksionon dhe drejtësia ngadhënjen përballë padrejtësisë.