Site icon Prishtinapress

Pas vendosjes në karantinë, kryetari i Klinës njofton qytetarët për masat shtesë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka lutur të gjithë qytetarët që  të respektojnë vendimin e Qeverisë, që Klina të vendoset në karantinë si pasojë e coronavirusit.

Elezaj, po ashtu ka  thënë se të gjithë personat që kanë pasur kontakte direkt apo indirekt me të infektuarit me COVID-19, të vet izolohen dhe të përcjellin gjendjen e tyre shëndetësore, në rast të paraqitjes së shenjave infektuese të kontaktojnë numrat emergjent.

Ai gjithashtu ka njoftuar qytetarët për masat e ndërmarra.

Njoftimi i plotë:

SI PASOJË E VIRUSIT COVID-19, KLINA VENDOSET NË KARANTINË

Pas konfirmimit nga Ministria e Shëndetësisë të një rasti me virusin COVID-19, të një shtetase italiane me qëndrim të përkohshëm në Klinë, sonte kam thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Shtabit të Emergjencës, ku kemi diskutuar masat që duhet të ndërmarrim për parandalimin e përhapjes së virusit.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Klina të hyjë në karantinë, njëkohësisht ka marrë dhe këto masa shtesë:

1. Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Klinës;

2. Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Vitisë;

3. Ndërpritet me efekt të menjëhershëm transporti ndër-urban në Republikën e Kosovës, si dhe transporti i organizuar ndërkombëtar;

4. Mbyllen kufijtë tokësor për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vet izolohen për 14 ditë;

5. Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova;

6. Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore;

7. Pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive;

8. Mbyllen tregjet e kafshëve dhe tregjet e automjeteve;

9. Reduktohen në veprimet esenciale dhe staf esencial çdo institucion publik, përveç stafit të sektorit të shëndetësisë dhe të sektorit të sigurisë;

10. Urdhërohen kompanitë private që t’a organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia;

Të gjithë personat që kanë pasur kontakte direkt apo indirekt me të infektuarit me COVID-19, të vet izolohen dhe të përcjellin gjendjen e tyre shëndetësore, në rast të paraqitjes së shenjave infektuese të kontaktojnë numrat e poshtëshënuar:

Numrin emergjent për ata që dyshojnë se janë të infektuar me korona virus:
038 200 80 800

Ndërsa nga Komuna e Klinës të kontaktohen këta numra:
039 471-791 QKMF Klinë;
194 Policia e Kosovës;
049 79 79 29 Hekuran Sejdiu – person kontaktues.

Apeloj tek të gjithë qytetarët që t’u shmangen ambienteve të frekuentuara me njerëz dhe t’u përmbahen të gjitha masave të ndërmarra nga Qeveria dhe rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ta rrisim kujdesin që të mbrojmë veten dhe të tjerët.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë konfirmuar dy raste me coronavirus, një  20-vjeçare, shtetase e Italisë në Klinë dhe një  77 vjeçar në Viti.

Exit mobile version