12.4 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Pas kancelares, edhe Presidenti gjerman iu drejtohet qytetarëve: “Ora e coronavirusit” nuk zgjat 60 minuta

Pas kancelares Angela Merkel, presidenti sërish u drejtohet gjermanëve të tronditur prej krizës Corona – në fjalën e tij ai përdor tone serioze paralajmërimi si dhe lavdërim për të gjithë ata që ndihmojnë dhe qytetarët e angazhuar.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i përgatit moralisht qytetarët për edhe disa javë të vështira për shkak të krizës së coroanvirusit.

Mbani distancë “është urdhëresa e orës që troket” – e kjo orë nuk zgjat 60 minuta, por “me gjasë javë”, thotë Steinmeier në mesazhin e dytë të tij me video brenda dhjetë ditëve drejtuar qytetarëve.

Takimet e zakonshme dhe vizitat ndërkohë nuk janë të mundshme.

“Të heqësh dorë prej kësaj, është e vështirë për secilin, edhe për mua. Megjithatë vetëm heqja dorë prej kontaktit mund të parandalojë, humbjen përgjithmonë të më të dashurve tanë”, tërhoqi vëmendjen Steinmeier. “Shumica dërrmuese në vendin tonë e ka kuptuar dhe po vepron si duhet. Për këtë ju falënderoj”.

“Gardhet e donacioneve” për të pastrehët

Solidariteti është ndërkohë “me rëndësi ekzistenciale”, theksoi presidenti. Shumë njerëz kontribuojnë vullnetarisht duke u bërë pazarin fqinjëve të moshuar ose duke u vendosur trasta me ushqime nën gardhe të pastrehëve.

“Të gjithë këta janë heroina dhe heronj në krizën Corona”, lëvdoi Steinmeier. Me disa prej tyre, tha ai, ka telefonuar gjatë ditëve të fundit.

Sipas të dhënave të presidencës ndërkohë Steinmeier zhvillon “shumë” telefonata me qytetarët, “aktiviteti i të cilëve është i kërkuar në kohën e krizës Corona”.

Këta janë kujdestarë, mjekë, punonjës socialë dhe punonjës të supermarketeve. “Në bisedat me ta presidenti informohet për përvojat aktuale në jetën e përditshme, për sfidat e problemet e tyre”.

Përveç kësaj ai i falënderon njerëzit për këtë angazhim.

“Virusi nuk ka nënshtetësi”

Në fjalimin e tij me video Steinmeier theksoi, se është i rëndësishëm në këtë kohë solidariteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

“Virusi nuk ka nënshtetësi dhe vuajtja nuk ndalet prej kufijve. Por ne duhet ta minimizojmë atë sa të jetë e mundur”.

Steinmeier iu referua ndër të tjera bashkëpunimit ndërkufitar në kërkim të një vaksine dhe terapive kundër virusit Corona.

“Le të koordinojmë në mbarë botën të gjithë dijen dhe përvojat, të gjithë kreativitetin dhe energjinë! Ky është apeli im”, tha ai. “Këtu i var shpresat unë”.

Video-mesazhi i Steinmeierit u publikua në faqen e internetit të presidencës si dhe në platformat Instagram dhe Facebook.

Para dhjetë ditësh kreu i shtetit u shpreh në këtë formë lidhur me krizën Corona.

Sipas presidencës janë planifikuar të publikohen rregullisht qëndrime dhe mesazhe me video të presidentit. /DW/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles