Derisa Raporti i Progresit për vitin 2017 ka gjetur se Kosova nuk ka shënuar aspak progres në fushën e arsimit, pasi që është vlerësuar se asnjë përparim nuk është bërë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve të aftësive në tregun e punës, njohësit e kësaj fushe fajin ia hedhin Ministrisë së Arsimit dhe organeve tjera relevante.
Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, me rastin e prezantimit të Raportit të Progresit patë thënë se gjendja e arsimit në Kosovë nuk është aspak në një situatë të mirë, përderisa ka shtuar se nevoja për të përmirësuar këtë situatë është emergjente.
“Sa i përket arsimit, mbetet absolutisht e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e arsimit, i cili është një nxitës kryesor i konkurrencës dhe rritjes afatgjate. Një ligj i ri për arsimin e lartë dhe përpjekjet e mëtejshme në reformat e kurrikulave përfshirë VET mbetet e nevojshme, me qëllim të një reforme të bazuar në standardet më të mira, duke përfshirë sigurimin e autonomisë dhe funksionimin e pavarur të institucioneve të arsimit të lartë dhe mekanizmat e sigurimit të cilësisë”, ka thënë Apostolova.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, në një prononcim për KosovaPress, ka thënë se të gjeturat e Raportit të Progresit kanë qenë të pritura, pasi Qeveria ka sjellë plane të cilave nuk iu është përmbajtur.
Ai thotë se të gjeturat e këtij raporti janë mëse reale.
“Unë mendoj se ky është një konstatim real sepse Raporti i Progresit na krahason me planet të cilat i ka sjellë vet Qeveria dhe të cilave nuk iu është përmbajtur. Është plotësisht e saktë se ka pasur shumë pak punë në fushën e arsimit. Ka qenë edhe vit i dy palë zgjedhjeve. Kjo mund të jetë arsyeja tjetër, por nuk është justifikim për një gjë të tillë, dhe kështu mendoj se vërtet Raporti i Progresit po na tregon atë që dimë vet”, theksoi Pupovci.
Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshi, ka thënë se faji kryesor rëndën mbi institucionet e vendit, derisa ka shtuar se arsimi që nga paslufta jo që ka përparuar por vetëm sa ka ngecur dhe ka degraduar.