Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka vendosur për shfuqizimin e masës së karantinës për Komunën e Malishevës, masë e cila ishte marrë më 14 mars të këtij viti, pas shfaqjes së rastit të parë të prekur me COVID-19.
Edhe pse masa e karantinës, është hequr, masat tjera të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, mbesin në fuqi.
Pas largimit të masës së karantinës për territorin e Komunës së Malishevës, i pari i komunës, Ragip Begaj, i ka falënderuar të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, për qytetarinë e treguar në zbatimin e të gjitha masave mbrojtëse, për mos përhapje të sëmundjes së COVID-19.
“Kultura e treguar në zbatimin e masave mbrojtëse për luftimin e përhapjes së virusit korona, i ka dhënë rezultatet, dhe që disa ditë në komunën tonë kemi pothuajse zero raste të reja të prekur me këtë virus, e numri i të shëruarve është më i madhi në vend, pasi janë shëruar 58 persona të prekur. Për këtë kulturë të treguar dhe për zbatimin në përpikëri të të gjitha masave, në emër të Komunës së Malishevës, i falënderoj të gjithë qytetarët, e po ashtu i falënderoj edhe të gjithë ata që janë të angazhuar në luftimin e kësaj sëmundje, punëtorët shëndetësorë në QKMF, në Klinikën Infektive, IKSHP-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë stafin e Komunës së Malishevës, të cilët, nga dita e parë janë të angazhuar në luftimin e kësaj sëmundje”, tha kryetari Begaj, pas marrjes së vendimit për heqjen e karantinës për Komunën e Malishevës.
“Pavarësisht heqjes së masës së karantinës, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, që të vazhdojnë t’i respektojnë në maksimum të gjitha masat tjera për mbrojtje nga përhapja e virusit, pra mos u grumbulloni në vende publike apo në ndeja rasti, mbani distancën e rekomanduar fizike prej dy metra, mbani maska e dorëza, mos dilni pa nevojë, respektojeni masën e kufizimit të lëvizjes, dhe mbani higjienën e duhur”, ka thënë Begaj, duke kërkuar nga qytetarët, që të kenë kujdes të shtuar në raport me COVID-19.
Në Komunën e Malishevës 76 persona janë prekur me COVID-19, prej tyre 58 janë shëruar, një person ka ndërruar jetë, kurse edhe 17 persona janë në kurim e sipër, gjendja e të cilëve është stabile dhe pritet që brenda pak ditëve, shumica prej tyre të konfirmohen plotësisht të shëruar.