Site icon Prishtinapress

Parlamenti i Zvicrës miraton marrëveshjen me Kosovën për pensionet

Dhoma Nacionale Parlamentit të Zvicrës posa ka miratuar Marrëveshjen sociale Zvicër Kosovë, me 115 vota pro 60 kundër dhe dy abstenime

Para më pak se gjysmë ore në Parlamentin Federal të Zvicrës ka filluar debati për miratimin e Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore në mes të Zvicrës  dhe Kosovës, marrëveshje kjo që njihet më shumë si marrëveshje për pensionet.

Temën në debat e ka futur në emër të komisionit për çështje sociale, deputeti i CVP-së nga Kantoni Valis, Benjamin Roduit. Ai ka shpjeguar rrethanat të cilat kanë sjellë në vitin 2019 ndërprerjen e marrëveshjes që funksiononte deri në atë kohë.

Roduit ka shtuar se në vitin 2017 kanë filluar bisedimet për një marrëveshje të re, përcjell albinfo.ch. Pa këtë marrëveshje, ka thënë ai, shumë më tepër kosovarë vendosin të qëndrojnë në Zvicër. Ndërsa kostoja e marrëveshjes është 16 milionë franga në vit. Për këtë arsye, komisioni social rekomandon miratimin e marrëveshjes.

Ndërsa deputeti i SVP-së nga Neuchateli, Raymond Clottu, në emrin e grupit të tij parlamentar ka kërkuar që marrëveshja të mos miratohet. Për më tepër ai ka theksuar që kjo marrëveshje t`i nënshtrohet një referendumi fakultativ.

Sipas tij, Kosova mbetet edhe më tutje një shtet fragjil. “Ish luftëtarët, veteranët e UÇK-së drejtojnë këtë shtet, ku shpesh veprojnë struktura të ngjashme me klanet”. Kjo e favorizon korrupsionin…

Ndërsa ministri Alain Berset, në kompetencat e të cilit është edhe resori i punëve sociale në arsyetimin e marrëveshjes ka thënë se bëhet fjalë për “persona të cilët për shumë vite kanë paguar kontributet dhe me këtë kanë kontribuuar në mirëqenien e Zvicrës. Me marrëveshjen jepet mundësia që të hiqet padrejtësia e cila deri sot është në fuqi”.

“Kosova është shteti i vetëm trashëgimtar i ish Jugosllavisë me të cilin Zvicra nuk ka marrëveshje në fushën sociale. Dhe kjo me këtë marrëveshje duhet të rregullohet”; ka thënë deputeti i BDP-së nga Berna, Lorenz Hess.

Exit mobile version