Parashikimi interesant i analistit politik: Ky është koalicioni i vetëm që mund të ndodhë, nuk është ai mes LVV-së dhe Vjosa Osmanit

0
78

Koalicionet parazgjedhore mes partive politike në vend po shihen si vështirë të mundëshme.

Kështu thotë analisti politik, Rasim Alija i cili të vetmin koalicion të mundshëm e sheh atë mes PDK-së dhe NISMA-s.

Alija deklaron se edhe koalicioni mes LVV-së dhe Listës Osmani është pak i mundshëm.

“Koalicionet parazgjedhore kanë shumë pak gjasa që të arrihen, përpos nëse parti të caktuara bëhen bashkë dhe prodhojnë koalicione të natyrës së vitit 2017, PAN që ka ardhë si inerci dhe është kriju ai koalicion. Sipas të gjitha gjasave ka pak mundësi tani të arrihen koalicione parazgjedhore. Pas zgjedhjeve sigurisht se presim koalicione paszgjedhore. Kjo sepse partia fituese nuk mund ta formojë vetë Qeverinë. Zgjedhja e presidentit do jetë e rëndësishme sepse u nevojiten 80 vota në Kuvend.

Koalicione parazgjedhore ka gjasa shumë të vogla të arrihen, subjektet do të shkojnë në zgjedhje veç e veç, përveç koalicionit mes PDK-së dhe NSIMA-s. Ky koalicion mund të ndodhë, tjerat me gjasë do shkojnë vet. Unë besoj që edhe koalicioni LVV-Lista Osmani nuk mund të ndodhë, sepse fillimisht Vjosa Osmani një herë duhet ta regjistrojë partinë e saj e pastaj të garojë. Është edhe opsioni që ajo t’i bashkohet VV-së pa subjekt në KQZ por ndoshta si Mimoza Kusari me një ide abstrake e një logo si Alternative e t’i bashkohet VV-së vetëm në listë. Koalicione tjera nuk besoj që do të ketë”, deklaroi Alija.

Në një bisedë me Gazeta Blic, Alija thotë se nuk pret befasi në rezultatin e zgjedhjeve në vend, kur pritet që Vetëvendosja të ketë rritje e Lidhaj Demokratike e Kosovës të ketë rënie.

Partitë e vogla si NISMA e AKR sipas tij vetëm sa rrezikojnë të kalojnë pragun dhe se mund të marrin goditjen përfundimtare nga pragu zgjedhor.

“Absolutisht nuk mund të presim befasi në rezultate, elektorati veçse është betonuar. Dihen pritjet e votuesve tashmë, partitë e vogla si AKR e NISMA do të mund të rrezikonin pragun, prandaj NISMA mund t’i bashohet PDK-së. Subjektet me probleme me prag mund ta kenë tani goditjen përfundimtare tani. Pres rritje të Vetëvendosjes dhe rënie të LDK-së. Gjatë fushatës dy subjekte janë të prirura të dalin mbi sondazhe. Këto janë VV dhe PDK. VV nga 2011 kur garuan për herë të parë, secilën herë kanë dalë mbi sondazhe. PDK edhe vitin e kaluar kishte pozicion jo të mirë në sondazhe por e mobilizuan elektoratin, mbetet të shihet a do dëmtohen nga mungesa e Veselit. Partitë e vogla veçse e rrezikojnë pragun”, thotë Alija.