Site icon Prishtinapress

Paraburgimi për Demaliajn, avokati i tij thotë se po zbatohet praktikë gjyqësore selektive

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, u arrestua të enjten e kaluar nga Policia e Kosovës.  Ndalimi i tij lidhet me deklaratat që ai kishte bërë në një emision televiziv për ish-prokurorin që po hetonte listat e fryera të veteranëve, Elez Blakaj.

Ndër të tjera, Demaliaj e kishte quajtur Blakajn ‘idiot’, duke thënë se do ta ndjekë privatisht në qoftë se shteti i Kosovës nuk vepron, shkruan lajmi.net.

“Ai është një idiot, një bir kudre, unë do ta ndjekë privatisht me familjen time në qoftë se shteti i Kosovës nuk bënë asgjë rreth hetimit të këtij prokurori”, kishte thënë Demaliaj.

E ndaj deputetit Demaliaj, Gjykata vuri masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Avokati i tij, Arianit Koci, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se ka përshtypjen se praktika gjyqësore nuk po zbatohet njëjtë për të gjithë.

Koci ndër të tjera ka thënë se ka gjyqtar që vazhdimisht i aprovojnë kërkesat e prokurorisë pa pasur madje as prova në shkresa të lëndës.

“Kam përshtypje se po bëhet gjueti e shtrigave ndaj personave të caktuar, dhe se praktika gjyqësore nuk po aplikohet për të gjithë njëjtë. Në fakt ka gjyqtar që vazhdimisht i aprovojnë kërkesat e prokurorisë, apriori, edhe pa pasur prova në shkresat e lëndës. Kemi rastin kur dy deputetë janë rrahur në studio, ka pasur fjalë të rënda dhe nuk është caktuar masa e paraburgimit”, ka thënë Koci duke iu referuar konfliktit të mëhershëm të deputetëve Milaim Zeka e Frashër Krasniqi.

Ai  tutje ka thënë se është i brengosur se masa e paraburgimit ndaj deputeti Demaliaj është caktuar pa asnjë provë në shkresën e lëndës.

“Madje në kërkesë për caktimin e paraburgimit, nuk është përcaktuar as koha kur kinse është kryer vepra penale e kanosjes.  Si mund të marrë Gjykata një vendim pa e pasur asnjë provë në shkresat e lëndës?”, ka thënë tutje Koci.

Koci po ashtu ka bërë të ditur se ankesën lidhur me këtë vendim e ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit, teksa ka shtuar se deklarimi i deputetit të AAK-së ka qenë emocional  dhe për këtë ai ka kërkuar falje.

Kujtojmë se për kanosje u arrestua edhe deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka.

I njëjti dyshohet se me deklaratat e tij për prokurorin special, Afrim Shefkiu, ka kryer veprën penale të kanosjes.

Exit mobile version