Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pritet që gjatë ditëve në vijim të udhëtojë në Berlin ku do të zhvillojë një takim me kancelaren Angela Merkel, për të diskutuar lidhur metodologjinë e bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Presidenti serb, siç raporton “B92” ka thënë se në “takimin me kancelaren gjermane bisedimet nuk do të kenë të bëjnë me një plan për të zgjidhur çështjen e Kosovës, siç po spekulohet në media”.
“Nuk mendoj se do të diskutohet për ndonjë plan të ri. Askush nuk mund të dalë me një plan dhe të thotë ‘merre ose lëre’”, tha Vuçiq, përcjell Telegrafi.
I pyetur nëse Berlini po i përshpejton bisedimet rreth Kosovës shkaku i aktiviteteve të SHBA-së, Vuçiq tha se nuk do të dëshironte ta komentojë këtë, “por sigurisht se situata për ne është e vështirë”.
“Padyshim që është vështirë për ne, sepse çdo zgjidhje që vjen nga jashtë do të jetë një zgjidhje për një lloj njohjeje të pavarësisë. Prandaj ne duhet të gjejmë një formë normalizimi që do të shkonte pa atë [njohjen e pavarësisë së Kosovës]… Ose do të ofrojë diçka të mirë për serbët, për të cilën nuk besoj”, tha Vuçiq.
Ai tha se edhe pse i ka të gjitha faktet e njohura në një ekuacion në mendje, ai nuk mund të vijë deri te një rezultat që do të ishte i pakënaqshëm ose i kënaqshëm për të dyja palët.
“Dikur kam qenë në gjendje të kem rezultatin, por tani nuk mundem”, shtoi ai.
I pyetur nëse qëndrimi i kancelares Merkel do të ndryshojë, duke vënë në dukje se ajo e uroi Albin Kurtin, ai tha se, “për kancelaren Merkel biseda me Kurtin është më e rëndësishme sesa me të [Vuçiqi] sepse kancelarja duhet të shohë se çfarë politike do të udhëheq Kurti, në çfarë mund të llogarisë dhe çfarë të bëjë…”.
Vuçiq tha se e di datën e takimit me kancelaren Merkel, por tash nuk është momenti ta thotë.