3.3 C
New York
Friday, November 22, 2024

Buy now

spot_img

Pandemia e coronavirusit – vaksina të falsifikuara në qarkullim

Një përfytyrim horror. Ti shpreson e beson se më në fund po vaksinohesh kundër coronavirusit, që po përhapet me shfrenim në të gjithë botën, dhe paguan madje shumë para, për t’u vaksinuar ndoshta me një vaksinë të rremë.

Fushata globale e vaksinimit ka nxitur pa dyshim edhe mashtruesit që duan të përfitojnë nga kërkesa e madhe për ampulat kundër COVID-19.

Prodhuesit e vaksinës gjermano-amerikane Biontech/Pfizer zbuluan së fundi vaksina të falsifikuara në Meksikë dhe Poloni dhe konfirmuan dyshimet për mashtrim.

Për Pfizer falsifikimet nuk janë të befasishme

Sipas gazetës “Wall Street Journal” në Meksikë me vaksinat e falsifikuara janë vaksinuar ndërkohë të paktën 80 vetë. Njoftime për pasoja prej substancës së injektuar nuk ka. Ampulat ranë në sy, sepse gjendeshin në kuti transporti me ftohje me ngjyra ndryshe nga ato që përdoren zakonisht dhe numra serialë të ndryshëm nga vaksinat që i ishin shitur zyrtarisht Meksikës. Po ashtu edhe afati i skadimit qe i ndryshëm nga zakonisht.

Edhe në BE ka pasur të paktën një rast falsifikimi. Televizioni polak TV Polsat raportoi se në Katovice u arrestua një 26-vjeçar në janar. Ai ofronte për shitje në Darknet si certifikatata të falsikuara testesh negative PCR dhe ampula me gjoja vaksinën e Biontech Pfizer. Prokuroria polake i dërgoi ampulat për verifikim tek firma Pfizer, e cila tha se në vend të vaksinës, përbërësi kryesor i ampulave ishte një mjet kundër rrudhave.

Sipas Lev Kubiak, përgjegjës për sigurinë globale tek firma Pfizer, ky lajm nuk është i befasishëm. “Deri sa të jemi në gjendje të prodhojmë sasi të mjaftueshme do të ketë mungesa në furnizim, prej së cilave mund të përfitojnë kriminelët,” – tha Lev Kubiak për “Wall Street Journal”.

OBSH: Vaksinohuni vetëm në qendrat shtetërore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është e vetëdijshme për problemin e falsifikimit. Në fund të marsit Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se në qarkullim ka ampula vaksinash të falsifikuara. Njoftime për vaksina dhe përpjekje të tilla i janë raportuar OBSH-së nga organet shëndetësore të mjaft vendeve. “Grupet kriminale” mundohen po ashtu të mbledhin shishet bosh të ampulave të përdorura që t’i mbushin ato me lëng pa efekt dhe t’u përdorin për qëllime mashtrimi.

“Vaksinat e falsifikuara kundër Covid-19 paraqesin një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe përbëjnë një barrë shtesë për grupet në nevojë dhe sistemet shëndetësore. Ato duhet të identifikohen dhe të hiqen nga tregu,” tha OBSH në një deklaratë.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bën thirrje të gjithëve që të mos vaksinohen në vende të tjera përveç atyre të parashikuara në programet shtetërore të vaksinimit dhe të raportojnë menjëherë autoritetet shëndetësore kombëtare nëse kanë dyshime, në mënyrë që OBSH të mund të informohet gjithashtu për to. /DeutscheWelle/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles