Pallaska: Ish-këshilltari i Kurtit ishte edhe kundër intervenimit të NATO-s

0
15

Ndaj deklaratave të këshilltarit të Albin Kurtit, kundër UÇK-së, ka reaguar edhe juristi Dastid Pallaska.

Ai ka thënë se qëndrimet kontradiktore të Shkëlzen Gashit janë botërisht të ditura.

Pallaska në shkrimin e tij në Facebook ka përmendur edhe një rast kur Gashi në vitin 2010 e kishte akuzuar edhe NATO-n.

“Këto qëndrime të njërit prej ideologëve të partisë në pushtet nuk ishin vetëm të njohura nga Kryeministri në ikje por edhe përkrahen edhe sot e kësaj dite nga ai dhe partia në pushtet. Shkrimi i lartpërmendur për NATO-në sot është i afishuar me krenari në ueb faqen e partisë në pushtet dhe duket se është pjesë e literaturës së detyrueshme për indoktrinim të militantëve. Përderisa Kryeministri në ikje mund ta lirojë formalisht nga detyra qeveritare këshilltarin e tij, ai kurrë nuk mund të distancohet nga deklaratat e këshilltarit të tij”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Pallaskës.

Sipas tij, në këtë shkrim, po ashtu ai pohonte se ishte pikërisht intervenimi ushtarak i NATO-së që kishte “rënduar” katastrofën humanitare në Kosovë.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Në shkrimin e tij “Për çfarë ka intervenuar NATO në Kosovë,” të datës 2 qershor 2010, këshilltari i sapo shkarkuar i Kryeministrit në ikje argumentonte se qëllimi i intervenimit ushtarak të NATO-së në Kosovë në vitin 1999 nuk ishte çlirimi i vendit apo ndalimi i krimeve të luftës të shtetit serb ndaj popullatës civile në Kosovë por ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të ish Republikës Federale të Jugosllavisë.

Për më keq, në po këtë shkrim ai pohonte se ishte pikërisht intervenimi ushtarak i NATO-së që kishte “rënduar” katastrofën humanitare në Kosovë.

Me këto “argumente” dhe me nënvizimin se NATO-së i mungonte autorizimi ligjor i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për përdorim të forcës ushtarake kundër ish Republikës Federale të Jugosllavisë, ky shkrim përputhet me propagandën e Serbisë dhe të qarqeve akademike ndërkombëtare të ekstremit të majtë që e dënojnë intervenimin ushtarak të NATO-së në Kosovë si shkelje të rëndë të drejtës ndërkombëtare dhe shpërfaqje arrogante të imperializimit amerikan.

Mbi premisën e këtij “mendimi krtik,” në një ligjëratë që u bë publike këto ditë këshilltari i shkarkuar i Kryeministrit në ikje i referohej forcave naziste dhe fashiste që kishin okupuar vendin gjatë Luftës së Dytë Botërore si “KFOR-i gjerman” dhe “KFOR-i italian.”

Në këtë mënyrë, ky “mendimtar kritik” e arsyetonte programin politik të partisë në pushtet që praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në vend – që e çliroi vendin dhe i hapi rrugë pavarësisë – gjithnjë e ka trajtuar si forcë okupatore.

Këto qëndrime të njërit prej ideologëve të partisë në pushtet nuk ishin vetëm të njohura nga Kryeministri në ikje por edhe përkrahen edhe sot e kësaj dite nga ai dhe partia në pushtet.

Shkrimi i lartpërmendur për NATO-në sot është i afishuar me krenari në ueb faqen e partisë në pushtet dhe duket se është pjesë e literaturës së detyrueshme për indoktrinim të militantëve.

Përderisa Kryeministri në ikje mund ta lirojë formalisht nga detyra qeveritare këshilltarin e tij, ai kurrë nuk mund të distancohet nga deklaratat e këshilltarit të tij.

Kjo për shkak se Kryeministri në ikje e di fare mirë se këshilltari i tij thjeshtë e ka thënë me zë atë që e ka mësuar nga shefi i vet.