Site icon Prishtinapress

Pacolli tregon se kur përmbyllet çështja e demarkacionit

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se këtë javë pritet të përmbyllet Demarkacioni me Malin e Zi. Sipas tij, Lista Serbe s’ka kurrfarë kushti për ta votuar Marrëveshjen.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, beson që Demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet nga Kuvendi gjatë kësaj jave.

Këto komente numri dy i Qeverisë së Kosovës i ka bërë gjatë një interviste për gazetën Zëri, duke shtuar se ratifikimi tashmë është çështje ditësh dhe se pret që edhe Lista Serbe ta votojë Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Vjenës.

Pacolli po ashtu ka thënë se Lista Serbe nuk ka vënë ndonjë kusht në këmbim të votës për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Kreu i diplomacisë kosovare ka potencuar se pas përmbylljes së këtij procesi ai do ta fillojë një turne vizitash në kryeqendrat e vendimmarrjes në kuadër të lobimit për liberalizimin e vizave, si dhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Fillimisht jam shumë i lumtur për dakordimin e spektrit politik shqiptar (pa “Vetëvendosjen”), sepse është shumë e nevojshme që një herë e mirë ta kuptojmë që proceset e mëdha kërkojnë konsensus në veprim. Si demokraci e re parlamentare Kosovës i duhet një shumicë stabile, veçmas kur është fjala për të ashtuquajturat “temat e mëdha”. Besoj që Demarkacioni do të përmbyllet këtë javë”, ka thënë ai.

Exit mobile version