Site icon Prishtinapress

Pacolli e quan banale ceremoninë e organizuar në aeroport për vaksinat anti-Covid

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kritikuar qeverinë për ceremoninë e organizuar me rastin e arritjes së dozave të para të vaksinës anti-COVID.

Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka vlerësuar se gjendja me COVID-19 në Kosovë është e rëndë.

Ndërsa për ceremoninë ka thënë se ishte banale dhe e panevojshme.

“Gjendja me Covid në Kosovë është shumë e rëndë. Mu duk shumë banale “ceremonia” e organizuar me pompozitet aq të madh në Aeroportin e Prishtinës për pranimin e një donacioni të rëndomtë të Aleancës Covax. Përkushtimi duhet të orientohet për gjetjen e zgjidhjes, gjetjen e miliona vaksinave që Kosova ka nevojë urgjente dhe “vaksina” tjetër ekonomike që do të ndikojnë në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës”, ka shkruar Pacolli, njofton Telegrafi.

Ndërkaq, pranimin e vaksinës e kanë përshëndetur, ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë në Kosovë.

Përfaqësuesja e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha se pavarësisht se arritja e këtyre vaksinave sjell shpresë, qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat kundër pandemisë.

Exit mobile version