18.1 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Pa ShBA-në s‘ka zgjidhje në Ballkanin Perëndimor

Në fund të korrikut të këtij viti, gazeta britanike “Guardian” botoi artikullin me titull “Bill Clinton pushed ‘appeasement’ of Serbs after Srebrenica massacre”. Gazetari Julian Borger, duke u bazuar në dokumentet e hapura për publikun nga Clinton Digital Library, lidhur me politikën e ShBA-së ndaj Bosnjë-Hercegovinës, arrin në konkluzionin, se presidenti amerikan dhe ekipi i tij synonin me shumë vendosmëri fundin e luftës (1992-95) për ish-republikën jugosllave.

Sipas Borgerit, Clintoni, menjëherë pas gjenocidit në Srebrenicë, donte t’i kërkonte qeverisë së Bosnjës, të drejtuar nga myslimanët, që të bënin lëshime territoriale ndaj serbëve të Bosnjës. Madje, një ndarje përgjatë linjës etnike duke përfshirë edhe “Land Swap” (shkëmbimet) si dhe një referendum për shkëputjen e pjesës së vendit të kontrolluar nga serbët, kjo përmendej pas dy-tri vjetësh në një dokument strategjik me emërtimin “Endgame”.

Nëse e lexon me kujdes dokumentin “995-07-20A, NSC Paper Bosnia Endgame Strategy”, has në një kontekst krejt tjetër. Këshilltarët e Clintonit janë përpjekur të paraqesin se me çfarë masash mund të arrihej paqja në Bosnjë. Këtu të bie në sy që propozimet e tyre përmbajnë edhe opsione që kanë qenë të njohura shumë më përpara. Qysh në vitin 1993, Lord Owen, drejtuesi britanik i bisedimeve për Evropën, propozoi një plan për një copëzim edhe më të madh të Bosnjës.

Vallë presidenti Clinton e ka vlerësuar vet “Endgame”-n dhe e ka konsideruar atë si të mirë? Lidhur me këtë nuk shkruhet asgjë në artikullin e Julian Borgerit e po ashtu asgjë nuk dihet për këtë.

Çfarë ndodhi atëherë pas gjenocidit në Srebrenicë dhe përpara bisedimeve në Dejton?

Politika britanike për Bosnjën nuk donte të përzihej më thellë; donte t’i drejtonte bisedimet pas Srebrenicës në të njëjtin stil si edhe më parë – ndonëse sulmet serbe vazhdonin të avanconin dhe me këtë afronte edhe pushtimi i tërë i vendit duke konturuar kësisoj katastrofën tjetër pas Srebrenicës në qytetin perëndimor të Bosnjes, Bihać.

Paqja nuk u arrit prej lëshimeve të përmendura nga Julian Borger, por nga konferenca e Splitit. Më 22 korrik 1995, presidenti i Bosnjës, Alija Izetbegoviq, dhe homologu i tij kroat Franjo Tugjman u takuan në qytetin bregdetar kroat, për të shpallur një deklaratë të përbashkët mbi bashkëpunimin ushtarak të Kroacisë dhe Bosnjës. Unë vet, autori i këtij komenti, asokohe kam qenë i pranishëm.

Ofensiva kroate që pasoi “Oluja” (“Stuhia” – sulmi nga 4 deri më 8 gusht 1995) solli kthesën ushtarake dhe ishte një ndër çastet më të rëndësishme në luftën për ish-Jugosllavinë. Ushtria kroate çliroi pjesët e Kroacisë deri në atë çast të pushtuara prej serbëve, ajo boshnjake mundi të rimarrë territoret boshnjake në perëndim të Bosnjës.

Jo NATO -ja, por “Oluja” i dha fund luftës në dy ish-republikat jugosllave. Prej “Oluja”-s u shmangën të gjitha rezervat, që ekzistonin deri në atë çast në radhët e bashkësisë ndërkombëtare dhe në NATO kundër një ndërhyrjeje më të fuqishme në luftë; prej “Oluja”-s ndryshoi tërësisht situata e luftës.

Ndërkohë, në NATO, dhe veçanërisht nga Britania e Madhe e Franca, pati një angazhim me insistim kundrejt presidentit të ShBA-së, Bill Clinton, për të ndalur këtë kundërofensivë, duke argumentuar se kjo mund të nxisë Serbinë e madhe të pushtojë nga ana tjetër… (The Clinton Tapes von 2009, 277). Clinton refuzoi.

Sidoqoftë, me sukseset ushtarake boshnjake dhe kroate, dolën jashtë loje si strategjia ashtu edhe opsionet e dokumentit “Endgame”. Serbët e Bosnjës erdhën në tryezën e bisedimeve në Dejton. Mundësia e një shkëputjeje të “Republika Sërpskës” – pjesës së Bosnjës, që në luftë u “spastrua etnikisht” dhe ku tani jetojnë kryesisht serbë – në asnjë çast nuk ka qenë temë në tryezën e bisedimeve të paqes në qytetin e ShBA-së në fund të vitit 1995.

Se çfarë roli ka luajtur Evropa që nga fillimi i luftrave në Ballkan në vitet 1990, kjo mundi të shihej qartë qysh në maj 1993. Asokohe presidenti Clinton dërgoi ministrin e tij të Jashtëm, Warren Christopher, në Evropë, për të diskutuar mbi planet e ndërhyrjes të përpiluara në Amerikë – por politikanët evropianë e injoruan të dërguarin e ShBA-së.

Vetëm aleanca e krijuar në Split mes Bosnjës dhe Kroacisë, dhe faktit që amerikanët i dhanë ndihmë ushtarake Kroacisë, bëri t’i jepej fund luftërave në Kroaci dhe në Bosnjë. Ne vetëm mund t’i jemi mirënjohës presidentit të atëhershëm amerikan Clinton, që të dy popujt i trajtoi me seriozitet dhe u ndihmoi atyre.

Pikërisht Clintonin ta akuzosh tani për politikë “appeasement” kundrejt serbëve pas Srebrenicës, kjo shkon në kufijtë e deformimit të historisë. Artikulli anti-amerikan i gazetës “Guardian” i ndihmon sot në radhë të parë separatistëve të përjetshëm, si p.sh. anëtarit aktual të presidencës boshnjake, Milorad Dodik. Ai menjëherë në agjencinë boshnjako-serbe “Srna”, kërkoi që të “rehabilitohet ideja e ShBA-së për një secesion të Republika Sërpskës”.

Fakt është që ShBA i ka ndihmuar për paqen, asokohe Bosnjë-Hercegovinës, në një kohë kur Evropa nuk donte të vepronte me vendosmëri. ShBA-ja vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkanin Perëndimor – pavarësisht që nismat si ajo aktuale e të ngarkuarit të posaçëm të ShBA-së për Kosovën, Richard Grenell, mund të cilësohen si dritëshkurtër dhe të rrezikshme. ShBA-ja mbetet një aleate e fortë në Ballkanin Perëndimor, që ndërmerr iniciativën. Edhe rezoluta e senatit të ShBA-së në jubileun e 25 vjetorit të gjenocidit Srebrenicës, deri më sot nuk është ndërmarrë nga asnjë shtet evropian.

Ku ka mbetur Evropa?

Evropa duhet sërish të angazhohet më intensivisht në Ballkanin Perëndimor, për të zhvilluar atje shtetin ligjor, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Artikuj si ai i Julian Borgerit në “Guardian” janë kthim në një shablon që nxiti atëbotë luftërat e Ballkanit. Nuk është mirë për “Guardian”-in me të tilla rishkrime të nxituara të historisë. /DW/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles