Site icon Prishtinapress

Pa ilaçe, 102 vjeçarja nga Deçani fiton betejën me coronavirusin

Një kosovare 102 vjeçare, ka kaluar coronavirusin pa përdorur ndonjë terapi.

Ruke Dervishaj nga Isniqi  thotë se virusi nuk i la asnjë shenjë dhe se nuk pati nevojë për ndonjë terapi të veçantë.

E moshuara beson se fuqinë e ka nga ushqimi natyral që ajo konsumon.

“E kam kaluar si një flamë. Nuk kam pasur as koll. Teshmja më mbërthente. Goja më hapej ashtu sikurse të vjen gjumi. Asgjë tjetër nuk kam pasur”, tregon ajo për Klan Kosovën.

Edhe pse ajo vitin e kaluar kishte një sulm në kokë, në përballje me coronavirusin ajo nuk pati nevojë për ndonjë terapi.

Por kaq lehtë nuk kaluan edhe anëtarët tjerë të familjes.

“E kemi dërguar te pulmologia. Na ka thënë shumë mirë i ka mushkëritë dhe nuk ka nevojë as për terapi. Edhe rëntgeni i ka dalë mirë. Ne më të rinjtë që ishim të prekur, na ka munduar pak më shumë”, tha ajo, përcjell telegrafi.

E moshuara pos që thotë se ka qenë konsumuese e ushqimit natyral, pretendon edhe një arsye tjetër pse coronavirusi nuk arriti ta mposhtë.

“Kam qenë në rrugë të Zotit të gjitha herët. Kam qenë e mëshirshme si për timin si për të huajin. Nuk kam qenë armik për askënd. Aty ma ka dhënë Zoti krahun”.

Rukja thotë se nuk ka pasur asnjë frikë edhe kur e kuptoi që e kishte kapur virusi.

“Aspak nuk jam frikue. Zoti ta jep ymrin, Zoti ta shkurton. Kur ka thënë Zoti kam me vdek edhe sikur të më mbajnë në shuplakë të dorës”, deklaroi ndër të tjera Ruke Dervishaj.

Exit mobile version