Site icon Prishtinapress

Osmani thotë se Kuvendi ka kryer shumicën e punëve: Qeveria nuk solli ligje

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur propagandë zërat që ky institucion ka përfunduar vetëm 5% të punës së saj.

Osmani ka thënë se Kuvendi ka kryer shumicën e punës, mirëpo, Qeverinë ka sjell vetëm 5% të ligjeve.

“Ka qenë një propagande se kinse Kuvendi ka kryer vetëm 5% të punës, kjo është një e pavërtetë e madhe, në fakt vetëm 5% të ligjeve Qeveria i ka dërguar në Kuvend. Pra mos gabofsha, nga 130, 120 ligje ende Qeveria nuk i ka dërguar. Pra nuk është se Kuvendi i ka në sirtaret e veta 120 ligje dhe ka shkuar në pushim dhe nuk i ka trajtuar, është e kundërta, ato ligje nuk na i ka sjellë Qeveria fare dhe pa i sjellë, është e pamundur që ne t’i fusim në procedura, përkundrazi, secila pikë që i ka kaluar procedurat e brendshme të Kuvendit në përputhje me rregulloren, ne e kemi dërguar në seancë”, ka thënë Osmani.

Osmani gjithashtu ka thënë se ishte vetëm një pikë kur deputetët kanë refuzuar, por të gjitha të tjerat kanë kaluar me procedurë të rregullt.

“Pra qind për qind të çështjeve që i kanë kry procedurat e Kuvendit, është hera e parë që ndodhë, ne i kemi trajtuar në seancë. Ka qenë vetëm një pikë, vet deputetët kanë refuzuar ta bëjnë pikë të rendit të ditës dhe ajo ka qenë zgjedhja e anëtarëve të BQK-së dhe anëtarëve joekzekutiv, por të gjitha çështjet tjera, madje shumë prej tyre me procedurë të përshpejtuar siç janë marrëveshjet ndërkombëtarë etj, i kemi fut në rend të ditës. Pra Kuvendi i ka trajtuar të gjitha ato që i kanë kaluar procedurat”, ka thënë ajo.

Osmani thotë se shpreson që Qeveria do të jetë shumë më efektive që të sjellë më shumë ligje në mënyrë që komisionet parlamentare të kenë volum më të madh të punës, rrjedhimisht organizim më të shpeshtë të dëgjimeve publike.

Këto komente Osmani i bëri në një debat virtual që është organizuar nga Lëvizja Fol.

Exit mobile version