Osmani, Mustafës: Nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet e mia, flet edhe për publikimin e fotografisë së babait

0
27

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovë, Isa Mustafa, i cili një ditë pas votimit të Qeverisë Hoti në Kuvend tha se bashkërendimi i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit nuk iu bëri punë.

Osmani tha se edhe Mustafa edhe secili politikan e dinë shumë mirë se nuk ka nevojë të koordinohet me askënd për qëndrimet që mban.

“Në fakt më mirë se kushdo qoftë do të duhej ta dinte zoti Mustafa. Unë i kam qëndrime e mia që burojnë nga puna ime me kolegë dhe njerëz që vërtetë e duan LDK-në, me njerëz që vërtetë e duan Kosovën në këto dy dekada… Këto qëndrimet kanë qenë gjithmonë të njëjta… Unë sërish i sfidoj se cilin qëndrim e kam ndryshuar….”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit ka folur edhe rreth publikimit të një fotografie të babait të saj.

“Me këtë çështje do të merren organet e drejtësisë… Familja ime ka mbledhur provat e nevojshme dhe ato pak a shume tregojnë ku e ka burimin një dezinformate dhe shpifje e tillë që ka për qëllim të lëndojë integritetin familjar dhe tani do t’ia lëmë në duar drejtësisë”, tha ajo, duke shtuar se nuk flitet vetëm për disa portale që kanë shpërndarë një informatë të tillë në mënyrë të papërgjegjshme, por edhe për individë që në këtë rast kanë rrezikuar edhe fizikisht familjen e saj. /Telegrafi/