Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar kryeministrin e vendit Avdullah Hoti sa i përket dialogut me Serbinë.

Thotë se arsyetimi i Hotit se ‘platforma e tij dialoguese është Kushtetuta’ nuk vlen, pasi Hoti tashmë ka shkelur Kushtetutën.

Osmani thotë se Gjykata Kushtetuese nuk lejon “mekanizëm të veçantë për negocim”, gjë të cilën sipas saj qeveria Hoti e bëri me emërimin e Skender Hysenit, koordinator për dialogun me Serbinë.

“Nëse në asgjë tjetër, në këtë pikë po, sepse është shkelë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se nuk mund të ketë mekanizëm të posaçëm që negocion. Në këtë rast mekanizmi i posaçëm që është krijuar me një vendim të qeverisë thotë që koordinatori shtetëror e udhëheq këshillin e ekspertëve. Pra me shkrim nuk ia kanë dhënë kompetencën për të negociuar por gojarisht po, u tha edhe sot në Kuvend që z.Hyseni e ka mandatin për të negociuar e hartuar marrëveshjen finale”, tha Osmani në Kuvend.

“Kurse Gjykata Kushtetuese e thotë se nuk mund të merr një kompetencë të tillë”, tha Osmani.

“Ka negociuar në emër të Republikës së Kosovës ky “mekanizëm i posaçëm i quajtur kështu nga vetë Gjykata Kushtetuese”, theksoi ajo, duke thënë se vetë Hyseni një ditë më parë pranoi një gjë të tillë.

“Gjykata Kushtetuese thotë se vetëm kuvendi mund të themeloj trupa të veçantë ose mekanizma të veçantë, por jo me ja marrë kompetencat qeverisë ose Kuvendit”, tha tutje.

Ndërkohë ditë më parë, Hoti ka emëruar Skender Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.

“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, thuhet në njoftimin e qeverisë.