Site icon Prishtinapress

OSBE-së në Kosovë fillon serinë e ligjëratave “Qeverisja ka rëndësi”

Misioni i OSBE-së më 12 prill në Kosovë do të mbajë ligjëratën e parë nga një seri ligjëratash për qeverisjen e mirë dhe qytetarinë aktive. Ligjërata e parë do të përqendrohet në ndikimin e qeverisjes në mbrojtjen e mjedisit.

Seria e ligjëratave publike e quajtur “Qeverisja ka rëndësi”, do të trajtojë çështje kritike të qeverisjes dhe do t’iu siguroj pjesëmarrësve – studentëve, ekspertëve, përfaqësuesve të OJQ-ve dhe mediave – mundësi që të propozojnë veprime që mund të shpien në politika më të mira.

“Qeverisja e mirë kërkon qeveri të aftë dhe llogaridhënëse si dhe qytetarë të përgjegjshëm dhe të informuar. Është përgjegjësi e përbashkët. Seria e ligjëratave e tregon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për t’i ndihmuar njerëzit në Kosovë që të kontribuojnë për ndryshime pozitive në shoqërinë e tyre”, tha Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, do të mbajë ligjëratën e parë të titulluar “Vëmendja ndaj mjedisit: Si ndryshimet e vogla bëjnë dallime të mëdha”.

Shllaku do të trajtoj çështjet mjedisore në Kosovë nga perspektiva e qeverisjes dhe do ta theksoj rolin qendror që qeverisja e mirë e luan në mbrojtjen e mjedisit.

Ligjëratat tjera të kësaj serie do të mbahen gjatë muajve në vijim në Gjilan, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren, dhe do të përqendrohen në çështjet e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, mediave, çështjeve gjinore dhe angazhimin qytetar e publik.

Të gjitha ligjëratat do të jenë të hapura për publikun dhe pa pagesë.

Exit mobile version