Site icon Prishtinapress

Organizata amerikane PEN, reagon pas ndarjes së çmimit Nobel për Letërsi, për shkrimtarin i cili ka fyer shqiptarët

Organizata amerikane PEN, ka reaguar pas ndarjes së çmimit Nobel për Letërsi, për shkrimtarin austriak Peter Handke.

Në reagimin e bërë nga PEN Amerika, thuhet se nuk mund të pranohet që çmimin Nobel për Letërsi t’i ndahet shkrimtarit austriak, Peter Handke, transmeton Telegrafi.

“PEN Amerikan, përgjithësisht nuk i komenton çmimet për letërsi që i japin institucionet e tjera. Ne e dimë që këto vendime janë subjektive dhe kriteret nuk janë uniforme. Megjithatë, kjo deklaratë për dhënien e çmimit Nobel për Peter Handke duhet të jetë një përjashtim.

Ne jemi të shokuar për përzgjedhjen e një shkrimtari që ka përdorur zërin e tij publikisht që të shtrembërojë të vërteta historike dhe t’i japë përkrahje për kryesit e gjenocideve si ish-presidenti serb, Slobodan Millosheviq dhe ish-lideri serb i Bosnjes, Radovan Karagjiq”, thuhet në reagim.

PEN Amerika bën të ditur se është  angazhuar për të luftuar gënjeshtrat e qëllimshme dhe shtrembërimin e fakteve.

“Shoqata jonë për më shumë është e angazhuar që të punoj që të shuaj të gjitha urrejtjet dhe të triumfojë ideali i jetesës në paqe dhe me barazi. Shoqata e shkrimtarëve amerikan kundërshton që çmimin shumë i rëndësishëm i Nobel-it t’i jepet një shkrimtari i cili ka mohuar krimet e kryera në Ballkan.

“Ne kundërshtojmë vendimin që një shkrimtar, i cili ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje krimet në luftëra që janë krejtësisht të dokumentuara, të vlerësohet për “aftësi gjuhësore”. Në një kohë kur po rritet nacionalizmi, udhëheqja autokratike dhe po shpërndahet dezinformata në gjithë botën, komuniteti i Letërsisë meriton diçka më shumë se kjo. Ne ndiejmë shumë keqardhje për zgjedhjen e Nobelit për Letërsi”, përfundon  reagimi.

Ndaj çmimit të ndarë nga Komiteti i Nobel-it kanë reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli si dhe personalitete tjera.

Ndryshe, Handke, bashkë me autoren polake Olga Tokarczuk janë fitues të Çmimit Nobel për Letërsi.

Çmimi Nobel për Letërsi sivjet u nda për dy vite, pasi vitin e kaluar është anuluar për shkak të një skandali seksual.

Handke, 76-vjeç, siç është thënë është shpërblyer “për punën me ndikim në eksplorimin e specifikës së përvojës njerëzore”.

Exit mobile version