Site icon Prishtinapress

Opozita për 100 ditët e Qeverisë Kurti: Qeveri e cila prishi raportet me SHBA-të dhe shkeli Kushtetutën

Qeveria Kurti e cila u votua më 3 shkurt 2020, pati vetëm 53 ditë jetëgjatësi për shkak të rrëzimit të saj në Kuvendin e Kosovës, pas mocionit të iniciuar nga partneri i saj qeverisës LDK.

Mirëpo pavarësisht kësaj, Qeveria Kurti e cila tashmë funksionon si qeveri në detyrë, arriti që të mbrrëijë 100 ditshin e qeverisjes.

Kjo qeveri u cilësua si qeveri e shpresës dhe ndryshimit, mirëpo partitë opozitare nuk mendojnë kështu.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu në një prononcim për Telegrafin, ka theksuar se kjo Qeveri me 100 ditë të qeverisjes nuk ofroi asnjë alternativë qeverisëse për qytetarët.

Madje sipas saj, Qeveria Kurti shkeli të gjitha premtimet me të cilat kishte ardhur në pushtet përfshirë këtu edhe zotimin për taksën.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu

“Gjatë këtij 100 ditshi kemi parë shumë intervista, konferenca shtypi e statuse në rrjetet sociale në vend të një angazhimi konkret për qytetarin. Qeverisja Kurti shfrytëzoi përqendrimin e përgjithshëm në pandemi për të përvetësuar bordet publike me militantë të LVV-së. Shkeljet Kushtetuese të kësaj qeverie dhe kërcënimi i gjykatësve kushtetues nëse verdikti nuk i përgjigjet interesit të saj politik, janë çështje që nuk do t’i harroj opinioni publik. Përfaqësues të LVV-së në Qeveri shtuan në përmasa të jashtëzakonshme përdorimin e gjuhës së urrejtjes duke mobilizuar aktivistët e militantët në rrjete sociale”, tha Deliu.

Deliu shtoi se gjatë kësaj kohe të qeverisjes kur qytetarët u përballur me pandeminë COVID-19, kishte menaxhim të dobët të situatës përfshirë këtu edhe telashet me karantinën, kërcënimin me protesta nga përfaqësuesit e LVV-së, kurse suksese të vetme sipas Deliut ishin disiplina e treguar qytetare dhe puna e profesionistëve.

“Mungesa e testeve dhe gënjeshtra se posedojnë 7 mijë teste që ministri e pohojë dikur që nuk ka qenë e vërtetë, janë argumente tjera të keqqeverisjes. Ky 100 ditësh do të mbahet mend për dorëzimin e veriut strukturave paralele dhe qeverisë së Serbisë, për teste të papërdorshme të Serbisë për efekt promocional të Vuçiqit në prag të dialogut, për viktimën e shkaktuar nga neglizhenca-vetëvrasja”, u shpreh Deliu për Telegrafin.

Deputetja Blerta Deliu kritikoi Qeverinë Kurti edhe për prishje të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Asnjë Qeveri nuk ka cenuar më rëndë marrëdhëniet tona me SHBA-të. Po ashtu mungesa e një plani konkret ekonomik të rimëkëmbjes socio-ekonomike pasa daljes nga mbyllja e përgjithshme shkaku i pandemisë dhe përfundimisht mbyllja e Kosovës nga gjitha vendet mike, asnjë komunikim shtetëror me ta, janë dështimet tjera të kësaj qeverisje”, theksoi Deliu.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se Qeveria Kurti e filloi këtë mandat pas një përballje disa mujore me partnerin për ndarjen e pozitave dhe aty siç duket filloi edhe mosbesimi reciprok mes partive të koalicionit që u shpërfaq edhe në qeverisje.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

Lekaj në një prononcim për Telegrafin theksoi se Qeveria Kurti për këto 100 ditë do të na kujtohet për arrogancën hakmarrëse ndaj disa bordeve të ndërmarrjeve publike dhe zëvendësimin e tyre me anëtarë të LVV-së, si dhe prishje të marrëdhënieve me SHBA-të.

“Po ashtu do ta mbajmë në mend si qeveria e vetme që refuzoi SHBA-në dhe i vendosi raportet me të në nivelet më të ulëta që nga vitet 90ta e mbi të gjitha edhe pse është qeveria më jetë shkurt, ajo shkeli dy herë kushtetutën e vendit që iu konfirmua nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu kryeministri Kurti në këto 100 ditë ka kontribuar shumë në ashpërsimin e skenës politike dhe opinionit publik duke mbjellur urrejtje të vazhdueshme për kundërshtarët e tij politik”, tha Lekaj.

Deputeti Lekaj shtoi se në këto 100 ditë në Kosovë pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar.

“Nuk mbaj mend të kem dëgjuar se ka filluar ndonjë reformë ose ndonjë projekt që të ketë ndryshuar jetën e qytetarëve ose unë si deputet nuk më kujtohet të më ketë ardhur në sirtar ndonjë iniciative ligjore nga kjo qeveri tashmë e shkarkuar. Këta më shumë ishin qeveri e propagandës sesa e punëve”, tha Lekaj.

Kujtojmë se Qeveria Kurti u shkarkua më 25 mars, ku 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro mocionit për rrëzimin e kësaj qeverie. /Telegrafi/

Exit mobile version