Site icon Prishtinapress

Opozita maqedonase kundër ndryshimeve kushtetuese, kërkohen zgjedhje

Kryeministri Zoran Zaev nga e marta do të nis konsultimet me partitë politike lidhur me votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë.

Bisedimet do të përfshijnë të gjitha partitë, si VMRO DPMNE-në e opozitës ashtu edhe partitë politike shqiptare, me qëllim sigurimin e dy të tretave, apo 80 vota në Kuvend, të cilat shumica parlamentare nuk i ka.

Shumica parlamentare aktualisht ka 72 deputetë, por edhe kjo shumicë është e diskutueshme bazuar në qëndrimet e dy partive të vogla opozitare shqiptare, që kanë katër deputetë e që edhe para referendumit kanë bërë të ditur se ndryshimet kushtetuese mund t’i kushtëzojnë me avancimin e statusit juridik të shqiptarëve përmes ndryshimit të disa amendamenteve që kanë të bëjnë me preambulën dhe gjuhën shqipe.

Paralajmërimi i kreut të qeverisë vjen pas referendumit, i cili edhe pse nuk kaloi pragun prej 50 për qind vlerësohet i suksesshëm nga koalicioni “Për Maqedoninë Evropiane”.

Zaev ka thënë se shumica absolute e qytetarëve apo rreth 600 mijë persona që kanë dalë në referendum kanë votuar për marrëveshjen, që paraqet mbështetjen më të madhe që ka arritur ndonjëherë ndonjë koalicion në ciklet zgjedhore.

Por, lideri i opozitës, Hristijan Mickovski mbetet në qëndrimin se referendumi ka dështuar, dhe madje në një postim në rrjetin social Facebook, ai marrëveshjen me Greqinë e ka quajtur “të vdekur” ndërsa ka akuzuar pushtetin për falsifikimin e të paktën 50 mijë votave.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Mickovski ka thënë për mediat maqedonase, se asnjë deputet i VMRO- DPMNE-së, nuk do të votojë për kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev dhe madje ka kërkuar që këtë të mos e bëjnë edhe deputetët e tjerë në Kuvend. Mickovski ka thënë se VMRO-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por vetëm nëse paraprakisht plotësohen kushtet e saj.

“Ne kërkojmë dorëheqjen e parevokueshme të prokurorit të përgjithshëm dhe zgjedhjen e një prokurori të ri me propozim të opozitës, zgjedhjen e qeverisë së re teknike me pjesëmarrjen edhe të VMRO-së në bazë të marrëveshjes së Përzhinës, ashtu siç është vendosur edhe me ligjin e miratuar në Kuvend, e cila do të ketë mandat vetëm se për organizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Mickovski.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se në rast se nuk arrihet mbështetja për ndryshimet kushtetuese, atëherë zgjedhjet do të ishin të pashmangshme, e madje si datë për mbajtjen e tyre ka përmendur 25 nëntorin.

Ndërkohë, përgjegjësi për gjendjen e krijuar dhe dështimin e referendumit ka kërkuar presidenti Gjorge Ivanov, në një paraqitje para opinionit. Ivanov kërkoi që të respektohet vendimi i popullit, i cili, sipas tij, “e hodhi poshtë marrëveshjen e dëmshme për emrin”.

Kreu i shtetit i dërgoi porosi edhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, duke kërkuar që të mos imponojë zgjidhje në kundërshtim me vullnetin popullit.

Exit mobile version