Site icon Prishtinapress

Opozita do të përfshihej në dialog, pa Thaçin kryesues

Partitë opozitare në Kosovë insistojnë që presidenti Hashim Thaçi të mos jetë në krye të procesit të dialogut me Serbinë, tani kur po afrohet edhe faza finale e tij. Sipas opozitës, Kuvendi është organi më i lartë, i cili duhet të vendosë për këtë çështje.

Vetëm pasi që Thaçi të tërhiqet nga kryesimi i dialogut dhe Kuvendi të marrë rolin në këtë proces, opozita shprehet e gatshme të bashkëpunojë rreth krijimit të një konsensusi në raport me marrëveshjen finale që pritet të arrihet me Serbinë.

Avdullah Hoti, shef i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet e shtetit dhe se si opozitë LDK-ja do të japë kontributin e saj.

Por, meqenëse tani institucionet, sipas Hotit, po udhëhiqen nga një qeveri e pakicës dhe nuk kanë legjitimitet, është e pamundur të zhvillohet çfarëdo dialogu me Serbinë.

“Është e rëndësishme të ndërtohet konsensusi për qasjen që duhet të ndjekë shteti i Kosovës në dialog me Serbinë. Se kush duhet ta udhëheqë atë, kjo është e vendosur sipas Kushtetuës. Dialogu për tema të tilla udhëhiqet nga institucionet që kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe përgjegjësi kushtetuese në këtë vend kanë vetëm Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, sepse burojnë nga votat e qytetarëve“, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë. Në platformën e hartuar, e cila pret miratimin e Kuvendit, roli udhëheqës në dialogun me Serbinë i besohet presidentit të shtetit.

Por, kjo qasje e Qeverisë vazhdon të mos pranohet nga opozita, pjesë e së cilës është edhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Xhelal Sveçla nga Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë se presidentit Thaçi nuk i takon të udhëheqë këtë proces.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje tanimë është e qartë se kush nuk duhet ta udhëheqë dialogun pasi që ne tani kemi një përvojë të keqe me këta persona në aspektin e negociatave me Serbinë. Hashim Thaçi është personi më joadekuat për ta udhëhequr këtë proces. Ne kemi përvoja të këqija edhe me ish-kryenegociatoren Edita Tahiri në këtë proces të dialogut. Po ashtu, edhe shumë prej liderëve aktualë të institucioneve nuk janë personat më kredibilë për të udhëhequr këtë proces kaq të rëndësishëm siç është dialogu me Serbinë”, tha Sveçla.

Deputeti Sveçla thekson se para se të fillojë një proces i ri i dialogut me Serbinë duhet bërë një dialog të brendshëm mes forcave politike të Kosovës, në mënyrë që të përcaktohet një kornizë e qartë e këtij procesi.

Po ashtu, sipas tij, do të ishte me rëndësi të bëhet edhe dialogu me komunitetet në Kosovë, pasi që, siç thotë ai, është një nga kërkesat kryesore edhe të partnerëve ndërkombëtarë që të garantohet një e ardhme e sigurt për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, thotë Sveçla, do të ishte e gatshme të hynte në këto negociata nëse do të plotësoheshin kushtet.

“Ne do të futemi në një proces po qe se fillojmë me dialog të brendshëm, t’i përcaktojmë qartazk kornizat e dialogut me Serbinë. Duke qenë se jemi Republikë Parlamentare, parlamenti është organi më i lartë, i cili duhet të vendosë për këtë çështje. Në këto raste ne do të ishim të gatshëm të bëhemi pjesë e këtyre bisedimeve, gjithmonë duke pasur parasysh interesin parësor të vendit”, thotë Sveçla.

Në anën tjetër, deputeti Dukagjin Gorani nga Partia Socialdemokrate e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu me Serbinë duhet t’i nënshtrohet Kuvendit të Kosovës.

“Është e pakuptimtë që një proces i zhvilluar keq për aq shumë vite, të vazhdojë ta anashkalojë organin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës. Nuk mendoj se imponimi i presidentit aktual si akteri i vetëm në këtë proces do të ketë sukses. E kuptoj që ai interpretohet bashkëpunues nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë, por kjo është edhe fatkeqësia jonë e madhe”, thotë Gorani.

Ai shton se PSD-ja e përkrah dialogun, por jo formatin e deritashëm të tij.

Sipas Goranit, ndryshimet e domosdoshme duhet të ndodhin përmes Kuvendit, i cili duhet ta prodhojë konsensusin racional, përndryshe, shton ai, rrezikohet të futet në situatë të kontestimit të legjitimitetit të mbarë procesit dhe të rezultateve të tij.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian pritet të vazhdojë në muajin qershor, ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht data e takimit mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.

Exit mobile version