Site icon Prishtinapress

Nuk zbatohen masat kundër COVID-19, fluks i madh i qytetarëve në Gërmi

Pas hyrjes në fuqi të masave të reja të lehtësimit kundër COVID-19,qytetarët iu kanë rikthyer jetës së përditshme.

Derisa institucionet e shëndetit bëjnë thirrje që të respektohen masat mbrojtëse kundër virusit, si mbajtja e distancës sociale dhe bartja e maskave mbrojtëse, një gjë e tillë nuk po gjen zbatim te qytetarët.

Sot parku i Gërmisë ‘vlonte’ nga një numër i madh i qytetarëve që ia kishin mësyrë këtyre hapësirave për të kaluar vikendin.

E krejt kësaj duket se po i ndihmon edhe moti i mirë që po merr këtyre ditëve, pas disa ditë të reshjeve me shi.

Kolona të gjata janë krijuar në rrugën që çon drejt “Gërmisë” dhe policia nuk dukej askund.

Qytetarët që ia kishin mësyrë për vikend këtij parku, nuk po i zbatojnë masat e institucioneve shëndetësore për distancë sociale dhe bartjen e maskave, duke rrezikuar kështu në paraqitjen e rasteve të reja, pasi që institucionet shëndetësore kanë bërë të ditur se virusi nuk është larguar në tërësi

Masat e lehtësimit është thënë se janë ndërmarrë që të lehtësohet jeta e qytetarëve pas gati tre muaj izolimi, në të kundërtën, një shtim i mundshëm i rasteve të reja mund të çojë deri te ndryshimi i vendimeve kundër përhapjes së coronavirusit.

Kosova nga muaji mars, kur u paraqitën rastet e para e deri më tash, ka 1234 persona me coronavirus, prej tyre 890 të shëruar dhe 31 viktima, e fundit e regjistruar dje.

Në kuadër të masave të reja të lehtësimit kundër COVID-19, nga nesër do të hiqet edhe ndalim-qarkullimi për qytetarët nga ora 21.00 deri në ora 5.00 të mëngjesit.

Exit mobile version