Site icon Prishtinapress

Njohja e diplomave, studentët turq në Maqedoni janë të shokuar

Studentët nga Turqia që studiojnë në Maqedoni janë të shokuar pas vendimit të Ankarasë për të shfuqizuar marrëveshjen mes dy vendeve, për njohjen e diplomave në të gjitha nivelet arsimore.

 I riu turk Fatih Durmaz, i cili është viti tretë në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup për Alsat M thotë se askush nuk i ka informuar studentët se çfarë po ndodh.

“Unë jam nga Turqia, studioj këtu mjekësi të përgjithshme. Kam lexuar lajmin në internet, ne jemi të shqetësuar, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Jemi të habitur të gjithë studentët”, tha Fatih Durmaz, student nga Turqia në Maqedoni.

Vendimin e autoriteteve turke e nënshkroi presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe i njëjti hyn në fuqi më 11 shkurt. Në të thuhet se marrëveshja e nënshkruar në vitin 1998 për njohjen ndërshtetërore të diplomave për arsimin e mesëm dhe të lartë, masterit dhe të doktoratursë shfuqizohen.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup thonë se bëhet fjalë, vetëm për ndryshimin e një mase ligjore, duke shpjeguar se është shfuqizuar marrëveshja dypalëshe midis dy vendeve dhe se nga tani e tutje diplomat do të njihen sipas Konventës së Lisbonës – një marrëveshje shumëpalëshe që e rregullon njohjen e diplomave të arsimit të lartë në Evropë.

 MPJ nuk ka sqaruar nëse kjo do të zbatohet edhe për diplomat e shkollave të mesme dhe do të aplikohet vetëm për diplomat universitare, pasi Konventa e Lisbonës mbulon vetëm çështjet e njohjes së arsimit të lartë.
Exit mobile version