18.1 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Njëzet vitet e radhës

Mendimet e atyre që ishin fëmijë në qershorin e vitit 1999, apo që nuk ishin fare të lindur, për atë çfarë është sot Kosova, do të jenë vendimtare për dy deceniet e radhës.

Blerim Shala 

Njëzet vjetorin e ditës së çlirimit të Kosovës, apo, 12 qershorin  (e vitit 1999-të), e shënuam në praninë e tre amerikanëve më të merituar që ne u bëmë të lirë.

Me ne pra këtë ditë ishin Presidenti Clinton, Sekretarja Albright dhe Gjenerali Clark, të cilët patën marrë vendimin më të mirë, më të duhur, dhe më te ndershëm, në atë pranverën e rëndë të luftës në Kosovë, që paqja të mbërrinte ndër ne, dhe që ajo ta kishte si kryetipar të vetin lirinë.

Natyrisht, ka edhe diplomatë dhe politikanë të tjerë perëndimorë, të cilën kanë hisen e tyre në atë kthesën e madhe për ne, për popullin e Kosovës, i cili mbërriti të jetësojë synimet e veta, ta përmbushë vullnetin e vet, duke qenë i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për liri, për demokraci, për pavarësi.

Si asnjëherë më parë  (dhe asnjëherë më pas), Qytetërimi Perëndimor ishte bërë bashkë për ta shpëtuar një popull që kishte të drejtë në kërkesat e veta.

Për ne, si Kosovë, ky ka qenë një moment që shënon kulminacionin e fatit tonë, pas një shekulli të fatkeqësisë historike.

Për Perëndimin dhe për atë që asokohe klasifikohej si ‘Rend i ri ndërkombëtarë’  (që në fakt nuk u bë kurrë, për shkaqe të shumta), Kosova ka qenë shembulli më i mirë i mundshëm se si do të duhej të organizohej tash e tutje Evropa dhe Bota.

Nuk do të duhej pra më të toleroheshin raste si Kosova.

Por ne ishim të parët dhe të fundët kur diçka e tillë ndodhi. Ndërsa ne, as sot e kësaj dite, nuk jemi fort të vetëdijshëm çfarë fati patëm në vitin 1999-të. Nuk ka dyshim, këtu duhet shtuar gjithmonë, që ne e kemi merituar këtë fat, këtë akt dhe këtë veprim madhështor të Perëndimit atëherë, e edhe shumë vite më parë. Por Kosova ka qenë një përjashtim i vetëm në këtë aspekt.

Secili prej nesh, në anën tjetër, si individë, si familje, e kemi rrëfimin tonë për pranverën e vitit 1999-të, kur të gjithë ne, si shqiptarë të Kosovës, fqinjëruam me vdekjen për çdo çast, dhe së fundit, mbijetuam dhe mbërrimë tek 12 qershori.

Nuk e dinim, asnjeri prej nesh, a do të mbetemi gjallë apo do të vritemi. Por secili prej nesh, si individë, dhe të gjithë së bashku, si popull, nuk kishim as më të vogëlin dyshim që Kosova do të çlirohej nga Serbia, dhe që do të na ipej pastaj, si një popull, një rast dhe një e drejtë të cilën kurrë nuk e kemi pasur: Që vet të udhëheqim me veten.

E kemi ditë këtë sepse me ne u bënë SHBA-ja, Evropa, Aleanca Veri-Atlantike.

Sidoqoftë, vitet kanë kaluar në ndërkohë, Kosova është bërë shtet, shumëçka ka ndryshuar këtu tek ne, në Evropë dhe në Botë.

Ku jemi si vend, si shtet, si popull, apo, çfarë kemi arritë në këto dy decenie të lirisë, duket që këtë analizë apo këtë shqyrtim nuk jemi në gjendje ta bëjmë esull, me gjakftohtësi.

Natyrisht, ne që e mbijetuam luftën, që shpëtuam në atë qershorin e para njëzet viteve, kur vlerësojmë veten dhe Kosovën nga perspektiva e atëhershme, e dy viteve të luftës dhe të dhjetë viteve të okupimit të egër, nuk kemi si t’i ikim konkludimit që kemi bërë shumë, kemi jetuar në fakt një mrekulli të vërtetë, çfarë është liria e Kosovës, më pas, edhe krijimi i shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër, pritjet e të gjithë neve, pas asaj mrekullisë së parë, më të madhes së mundshme, të qershorit të vitit 1999-të, kanë qenë të mëdha. Apo, kemi menduar që nuk ka kush të na ndalë me e bë Kosovën Evropë dhe Perëndim për vetëm pak vite.

Kështu nuk ndodhi. Mbase, as që ka mundur të ndodhë. Por nuk ka dyshim që kemi mundur të bëjmë më shumë, apo që sot Kosova ka mundur të duket sot më mirë.

Njëzet vjet liri, në moshën e atyre që kanë qenë fëmijë, ose që nuk kanë qenë fare të lindur, përkthehen me 20 vjet, apo 30 vjet më së shumti. Për një vend si Kosova, ku mosha mesatare e qytetarëve të saj është 28 vjet, kjo ka domethënien e pjesës më vitale, më dinamike të popullit të Kosovës.

Mendimet e tyre për atë çfarë është sot Kosova do të jenë vendimtare për dy deceniet e radhës. Jo më tonat. 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles