Site icon Prishtinapress

Një i vdekur nga gripi sezonal në Klinikën Infektive, s’ka situatë epidemiologjike

Një person i moshuar ka vdekur pasi është prekur nga gripi sezonal i tipit A, ndërsa nga dhjetori deri më sot në Klinikën Infektive janë hospitalizuar 6 persona me këtë lloj të gripit.

Aktualisht në këtë klinikë është duke marrë trajtim vetëm një paciente, e cila është prekur nga gripi sezonal i tipit A.

F.B., e cila është në muajin e tretë të shtatzënisë, thotë se nga e marta e javës së kaluar për shkak të gjendjes së saj, ka qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë, ndërsa të premten është transferuar në atë Infektive.

Derisa i ka treguar simptomat ajo shprehet se po ndihet më mirë pasi që është duke u trajtuar me terapi.

“Më ka dhimbur fundi i barkut, mjedisi, koll kam pasur shumë, dhe gjoksi më ka gërryer, ethe temperaturë…3 muaj e gjysmë jam shtatzënë….Shumë mirë jam, foshnja është në rregull gjithçka vetëm kam qenë më vështirë, por tash jam shumë mirë…Nga e marta kam qenë në Gjinekologji deri të premten, të premten kam ardhur këtu”, thotë ajo.

Infektologu i Klinikës Infektive, Valbon Krasniqi për KosovaPress ka bërë të ditur se deri sot nga dhjetori janë konfirmuar 7 raste me gripin e tipit A.

Krasniqi tha se nuk ka situatë epidemiologjike të paktën deri në këto momente.

“Aktualisht deri sot që po flasim deri më tani kemi 7 raste të konfirmuara që kanë qenë të prekura nga gripi i tipit A, influenca A që e quajmë ne, po flas për këtë sezon, pra fund vitin 2019 dhe fillim e vitit 2020. Kemi pasur pacientë, të cilët kanë ardhur me shenja të gripit në numër më të madh të rasteve, por vetëm në shtatë prej tyre është konfirmuara prezenca e virusit e influencës A, kjo nuk domethënë që nuk kemi pasur numër më të madh, por kjo mund të vijë në fazat e mëvonshme , kur virusi më nuk mund të gjendet në rrugët e frymëmarrjes, por megjithatë ajo që mund të themi me siguri është se ne të paktën deri tani nuk kemi ndonjë situatë epidemiologjike me një numër më të madh të rasteve. Ne nuk kemi hasur ndonjë fluks më të madh të pacientëve këtyre ditëve e as gjatë muajve të kaluar”, tha ai.

Krasniqi tha se si pasojë e gripit, një person i moshuar ka ndërruar jetë, teksa shton se ky pacient ka qenë i prekur edhe nga sëmundje tjera.

“Nga këto 7 raste të konfirmuara të vërtetuara që kanë qenë të prekura nga virusi A, një prej tyre fatkeqësisht ka ndërruar jetë muajin e kaluar bëhet fjalë, dhe ka qenë i moshuar, që ka pasur edhe probleme tjera apo sëmundje tjera të zemrës, mushkërive edhe të veshkave dhe ka qenë i prekur nga ky virusi, ndërsa të tjerët janë mjekuar dhe janë lëshuar për në shtëpi. Aktualisht në klinikë kemi vetëm një pacient që është duke u trajtuar dhe kemi një ecuri të zakonshme deri tani”, deklaroi Krasniqi.

Infektologu tregon edhe disa nga simptomat e gripit sezonal për të cilat thotë se i prekuri mund t’i vërejë pas dy apo tri ditëve nëse ka pasur kontakt me ndonjë person të prekur më herët me këtë lloj gripi.

“Duhet ta dallojmë nga flama e zakonshme, apo rrufa që i thotë populli. Për të dalluar këtë kemi simptomat e përgjithshme që paraqiten te gripi e nuk na paraqiten te flama. Nëse për shembull deri te një ftohje e zakonshme apo një flamë kemi vetëm shenja nga rrugët e sipërme respiratorë si për shembull me shkuarje të hundëve, teshtitje, kollitje, ndjenjën e tharjes në fyt, te gripi përveç këtyre shenjave kemi edhe temperaturë e cila mund të shkojë në vlera shumë të larta deri mbi 39 gradë Celsius, pastaj kemi dhembje të muskujve, nyjave, eshtrave, kemi plogështi të përgjithshme. Ndonjëherë mund të manifestohet edhe me vjellje, dhe në forma të rënda mund të kemi çrregullime të vetëdijes”, pohon infektologu Krasniqi.

Derisa ende nuk është nxjerrë raporti me numrin e prekurve nga gripi sezonal, të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike prej 1 tetor 2019 deri më 4 dhjetor 2019 tregojnë se në këtë institut janë raportuar gjithsej 9545 raste të dyshimta me grip, 1504 raste infeksione respiratore akute dhe 9 raste me infeksion të rëndë respirator akut(SARI).

Sipas IKSHPK-së, këto raste janë raportuar nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të atyre me popullatë serbe, dhe numri më i madh i rasteve të raportuara kanë qenë nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës, por që nuk kalon pragun epidemik.

Prej 1 tetor 2019 deri më 4 dhjetor 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 25 mostra të dyshimta në grip.

Ndërsa, zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva i ka thënë KosovaPress-it se aktualisht janë duke përgatitur të dhënat për të prekurit nga gripi sezonal nga data 4 dhjetor e deri më tani./kp/

Exit mobile version