Ngushëllime për vdekjen e aktores së madhe shqiptare, Leze Qena, kanë shprehur edhe liderët politikë në vend.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Nismës Socialdemokrate, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Fatmir Limaj janë ndër liderët që kanë shprehur ngushëllime për ikonën e kinematografisë kosovare.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e artistes së njohur Leze Qena, në këto ditë të pandemisë. Leze Qena na ka bërë të qeshemi, të qajmë, të duam teatrin e televizionin, të duam artin e jetën, me dekada të tëra. Lezja do t’i mungojë skenës, televizionit, tërë Kosovës. Ngushëllimet më të thella familjes dhe kolegëve të saj”.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj:
“Aktorja e madhe Leze Qena na la sot! Arti dhe personaliteti ndriçues i saj do të jenë me ne përgjithmonë. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve të saj, kolegëve artistë dhe gjithë popullit të Kosovës”.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani:
“Ikona e skenës teatrore iku. Leze Qena na la bashkë me një bagazh të pasur të krijimtarisë së saj.
Lezja jonë do të mbetet në kujtimet tona për nga interpretimi brilant në skenën teatrore e filmike dhe për buzëqeshjen e dashurinë që përqonte tek të gjithë.
Lezja do të kujtohet ndër breza, sepse shumë të tillë për më tepër se gjysmë shekulli panë dhe mësuan mjeshtërinë e aktrimit nga diva teatrale, e cila ishte e tillë jo vetëm në skenë, por edhe në jetën e përditshme!
Ikja e Lezes në skenën teatrore kosovare do ta lë bosh përherë një vend, porse nuk do ta lë kujtimin për aktoren e mirë, e mbi të gjitha njeriun e mirë! Prehu në paqe Leze, dritë pastë shpirti yt”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli:
“Me keqardhje të madhe mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktores sonë të mirënjohur Leze Qena. Trashëgimia e saj e gjatë dhe e pasur artistike dhe rolet e interpretuara me mjeshtëri kanë bërë që ajo të kujtohet gjithmonë me dashuri nga publiku i saj. Shpreh ngushellimet e mia më të sinqerta për familjen, bashkëpunëtorët dhe të dashurit e artistes së madhe”.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj:
“I trishtë lajmi për vdekjen e aktores së mirënjohur, Leze Qena. Me rolet e saj të shumta në teatër dhe seriale vendore ajo fitoi zemrën e publikut. Vdekja e Lezes është humbje e madhe jo vetëm për familjen e saj, por edhe për vendin. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes Qena, komunitetit artistik dhe gjithë atyre që e kanë njohur atë.U prehsh në paqe, Leze”.