Site icon Prishtinapress

Nga PSD-ja dalin kundër Superligës evropiane të futbollit

Edhe nga Partia Socialdemokrate në Kosovë kanë reaguar kundër 12 klubeve elitare evropiane të futbollit, të cilat kanë vendosur që të dielën në mbrëmje ta zyrtarizojnë krijimin e një lige të re evropiane, e cila vjen si alternativë e Ligës së Kampionëve. “Superliga”, siç është quajtur, është kundërshtuar ashpër nga UEFA dhe FIFA, të cilat kanë kërcënuar me përjashtimin e këtyre ekipeve dhe lojtarëve të tyre nga garat tjera futbollistike, shkruan Gazeta Express.

Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni, e ka quajtur këtë kompeticion të ri “kartel të futbollit. Ai ka thënë se pronarët e 12 klubeve themeluese të kësaj lige, Real Madridi, Atletico Madridi, Barcelona, Arsenali, Chelsea, Manchester City, Manchester Unitedi, Liverpooli, Tottenhami, Interi, Milani dhe Juventusi, po vendosin për të ardhmen e gjithë futbollit.

“Kjo nismë shkatërron klube e shterron qytete. S’ka më arsye për investime e kualifikim. Livorno ose Leeds praktikisht s’do të mund të luajnë kurrë me Barcelonen ose Realin. Pronari i Juventusit, Agnelli, paska deklaruar se këto klube “përfaqësojnë” qindra miliona adhurues në mbarë botën. 12 pronarë po vendosin për të ardhmen e futbollit. Shpesh ndodh që këta s’janë as ndjekës të futbollit”, ka shkruar Hyseni.

Postimi i tij i plotë:

Super Liga evropiane është kartel i futbollit

12 ekipet më të pasura në Evropë po e formojnë një ligë të re. Paskan vendosur bosët se si do të organizohet e si do të duket sporti më i shikuar e më i dashur në botë.

Kjo nismë shkatërron klube e shterron qytete. S’ka më arsye për investime e kualifikim. Livorno ose Leeds praktikisht s’do të mund të luajnë kurrë me Barcelonen ose Realin. Pronari i Juventusit, Agnelli, paska deklaruar se këto klube “përfaqësojnë” qindra miliona adhurues në mbarë botën. 12 pronarë po vendosin për të ardhmen e futbollit. Shpesh ndodh që këta s’janë as ndjekës të futbollit.

Shpirti garues, kënaqësia e lojës, kolektiviteti dhe shokët e skuadrës ka kohë që janë pushtuar e zvenitur nga spektakli i yjeve që konkurron për miliardat e marketingut, reklamës e të drejtave televizive.

Kjo mundet me qenë mundësi për fansat e futbollit. Kritika për neoliberalizmin nuk është diskutim jashtë përditshmërisë. Futbolli evropian po mbërrin aty ku është BE si strukturë organizimi: marrëveshje në formë karteli. Përveç kartelit financiar e industrial, tash e kemi edhe kartelin e futbollit.

Exit mobile version