Të rinjtë gjermanë të ekstremit të djathtë po trajnohen për trazira nga supermacistët rusë në një kamp afër Shën Petersburgut.
Siç raportojnë mediet e huaja, përcjell Telegrafi, disa pjesëmarrës në këtë kamp paramilitar janë anëtarë të partive nacionaliste si “Partia Nacional Demokrate” (NDP), “Nacionalistët e Rinj” dhe “Rruga e Tretë”.
Departamenti Amerikan i Shtetit organizatën “Lëvizja Perandorake Ruse” (RIM), në muajin prill e ka futur në listën e subjekteve terroriste, duke thënë se drejton dy kampe trajnimi paramilitare në Shën Petersburg që kanë grumbulluar neo-nazistët nga e gjithë bota perëndimore.
Lëvizja RIM e përshkruan veten si një organizatë e krishterë ortodokse dhe nacionaliste duke mbështetur ndikimin rus. Rusia këtë lëvizje nuk e ka shtuar në listën e organizatave terroriste të ndaluara, por botimet e saja ekstremiste i ka renditur në listë të zezë.
Sipas medieve gjermane, RIM siguron trajnime për anëtarët e rinjtë të këtyre organizatave nacionaliste. Grupi rus thuhet se i trajnon të rinjtë gjermanë për ta përdorur armën dhe eksplozivët në një kamp të quajtur “Partizan” afër Shën Petersburgut.
Raportimet e medieve ruse, këta pjesëtarë të trajnuar në këtë kamp i kanë lidhur me konfliktin në Ukrainë, luftën në Siri dhe me një sulm terrorist në Suedi.
Autoritetet gjermane supozojnë se presidenti rus Vladimir Putin ka njohuri rreth kampeve dhe se “i toleron” ekzistencën e tyre.
Kush është Maik Muller njeri nga udhëheqësit e NDP-së që ka lidhje me Kosovën?
Maik Muller në jetën politike në Gjermani, është një nga udhëheqësit e partisë së ekstremit të djathtë apo neo-naziste e njohur si NDP.
Aktiviteti i Muller në Kosovë ndërlidhet me veprimtarinë e tij në Gjermani, pasi që një pjesë e konsideruar e partive dhe lëvizjeve të ekstremit të djathtë ne Evropë janë duke u mbështetur dhe financuar nga Moska zyrtare.
Ai e shfrytëzon edhe identitetin tjetër Maximilian Brown, i cili e shfrytëzon gjatë aktiviteteve që kanë të bëjnë me lëvizjen Fronti Evropian për Solidaritet me Kosovën (FESK).
Maik Muller apo Maximilian Brown është president i FESK-së, lëvizje e cila propagandon dhe organizon protesta kundër Kosovës, si dhe mbledh ndihma materiale për serbët në Kosovë. Kjo lëvizje ka anëtarë në Gjermani, Finlandë, Itali, Greqi, Poloni, Çeki, etj.
Po ashtu, FESK bashkëpunon edhe me lëvizjet anti-globaliste evropiane, ku mbështeten nga Rusia. Afërsia e Mullerit me lëvizjet ultra-nacionaliste e kishtare ruso-serbe, kanë ndikuar tek ai që të praktikoj besimin fetarë ortodoks.
Muller është pagëzuar në Kishën Ortodokse Serbe në vitin 2016. Ai e pranon edhe vet se vizitat në Kosovë, takimet me klerikë serbë si dhe me klerikun e Kishës Ortodokse Ruse në Drezden (vendi i njohur ku Putin ka shërbyer si pjesë e KGB-së dhe ku ka mbetje të ndikimit shumë të madh rus), e kanë shtyrë që të bëhet besimtarë i Kishës Ortodokse Serbe.
Për aktivitetet e tij të dyshimta, Muller disa vite ka qenë në vëzhgimin e shërbimeve inteligjente gjermane.