Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se janë mbyllur të gjitha vendvotimet (87) dhe se procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë problem.
KQZ njofton se në këto zgjedhje, të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 24 mijë e 595 (42.42%) qytetarë me të drejtë vote nga 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, deri në të njëjtën kohë, kishin votuar 23 mijë e 891 votues apo 41.90%.
Kryetarja e KQZ-së falënderoj komisionerët apo anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve për punën e mirë gjatë ditës së sotme si dhe i inkurajojmë që gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet me përpikmëri.
Gjithashtu, në emër të KQZ-së, Daka falënderoi edhe institucionet tjera, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe misionin e OSBE-së në Kosovë për ndihmën e dhënë.
Për fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se nga ora 19:00 ka filluar të rrjedhë afati 24 orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me procesin e votimit të sotëm.