Në veri të vendit 82 persona të infektuar me COVID-19 dhe pesë të vdekur

0
15

Në veri të vendit gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur dy persona nga COVID-19, dhe dy të tjerë janë infektuar, ka bërë të ditur anëtari i shtabit të krizës në veri të Mitrovicës, njëherit epidemiologu Aleksandër Antonijeviq, gjatë konferencës për media të këtij shtabi që u mbajt sot në veri të Mitrovicës.

Dy personat të cilët humbën jetën nga koronavirusi janë nga Zveqani dhe Leposaviqi, ndërsa dy të infektuarit nga veriu i Mitrovicës.

Sipas Antonijeviq, në veri të Kosovës deri tani janë konfirmuar me COVID-19 gjithsej 82 persona, janë shëruar 21, ndërsa kanë vdekur 5 persona.

“Që nga fillimi i marrjes së mostrave dhe deri ditën e djeshme janë testuar 665 persona, nga të cilët kemi 82 të infektuar, 21 të shëruar dhe fatkeqësisht 5 të vdekur…Sipas komunave situata është si vijon, në veri të Mitrovicës 33 të infektuar, 9 të shëruar dhe një i vdekur. Në Zveqan janë 19 të infektuar, 11 të shëruar dhe një i vdekur. Në Leposaviq 11 të infektuar, një i shëruar dhe tre të vdekur. Në Zubin Porok, janë 19 të infektuar”, ka thënë Antonijeviq.

Sa i përket personave të hospitalizuar, ai shtoi se në spitalin e veriut të Mitrovicës aktualisht janë duke u trajtuar 18 pacientë, derisa në konviktin e studentëve ndodhen 30 pacientë.

Në pyetjen e KosovaPress-it nëse qytetarët e veriut do të vazhdojnë të respektojnë masat për kufizimin e lëvizjes sipas rekomandimeve nga Prishtina, apo ato të Beogradit të cilat nga sot kufizojnë lëvizjen nga ora 18:00 deri në 05:00 të mëngjesit, Antonijeviq la të kuptohet se qytetarët do të respektojnë rekomandimet nga Prishtina.

“Në Serbi është ndryshe, këtu shtabi i krizës ka ndërmarr masa ndryshe, të cilat nuk janë të njëjta siç janë në Serbi”, theksoi Antonijeviq./kp/