Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka zhvilluar sonte një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Ambasadori Kosnett, përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar se në takimin e sontëm ka riafirmuar mbështetjen e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.
“Në takimin e sotëm me Emisarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, riafirmova mbështetjen dhe bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara rreth dialogut të kryesuar nga BE-ja. Qëllimi ynë: një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe integrim të thellë Euro-Atlantik, ku do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Kosnett, përcjell Telegrafi.
At today's meeting with EUSR @MiroslavLajcak, reaffirmed U.S. support for a collaborative, EU-led dialogue process. Our goal: a comprehensive settlement and deeper Euro-Atlantic integration that benefits all Kosovo and Serbian citizens. pic.twitter.com/Sc0ddcv40K
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) March 1, 2021
Lajçak sonte ka zhvilluar një takim edhe më liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë.
Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë nga 1 deri më 3 mars.
Pas Kosovës, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri me 4 mars, dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars.
Lajçak të martën paradite do të takohet me U.D. Presidenten Vjosa Osmani dhe gjithashtu pritet të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e politikë, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren. /Telegrafi/