Site icon Prishtinapress

Në rast të votimit të Qeverisë Hoti, Kurti dhe disa nga më të votuarit e LVV-së nuk mund t’i kthehen Kuvendit

Në tetor të vitit të kaluar pas zgjedhjeve parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje doli partia fituese ku siguroi 30 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e LVV-së të cilët në këto zgjedhje ishin më të votuarit, pas formimit të Qeverisë kaluan nën udhëheqjen e disa prej ministrive.

Albin Kurti mori postin e kryeministrit, Glauk Konjufca postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albulena Haxhiu u bë ministre e Drejtësisë, Arben Vitia ministër i Shëndetësisë, Haki Abazi zëvendëskryeministër i dytë.

Por, pas mocionit për rrëzimin e kësaj Qeverie, dhe në rast të formimit të Qeverisë së re nën udhëheqjen e LDK-së, ministrat aktual në detyrë të LVV-së do të mbeten jashtë ministrive por edhe jashtë Kuvendit.

Me këtë rast Grupi Parlamentar i LVV-së do të mbetet në Kuvend pa zërat më të fuqishëm të cilët në legjislaturën e kaluar të Kuvendit ishin më të zëshmit.

Rezultatet nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019/Burimi: KQZ

Kjo për faktin se të njëjtit nuk kanë mundësi të rikthimit në pozitën e deputetit, pasi që Kuvendi i Kosovës tashmë është i konstituuar.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Telegrafin se në situata të tilla përbërja e Kuvendit nuk ndryshon, vetëm në rast të shkuarjes në zgjedhje.

“Kuvendi i Kosovës është institucion i cili veçse është i konstituar dhe përbërja e tij nuk ndryshon përveç nëse shkojmë në zgjedhje. Pra, pavarësisht se çfarë ndryshime ndodhin në përbërjen e qeverisë, ndryshimi i qeverisë dhe përbërjes së saj nuk reflektohet në ndryshimin e përbërjes së Kuvendit. Pra, në një situatë të tillë nuk ekziston mundësia e rikthimit të Glauk Konjufcës, Albunela Haxhiut dhe të tjerëve në postin e deputetit”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër edhe Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë për Telegrafin se ministrat në detyrë të LVV-së, nuk kanë asnjë mundësi të rikthimit në Kuvendin e Kosovës.

“Në rastin në fjalë asnjëri nga ish-ministrat nuk mund të kthehen në pozitat e deputetit meqë në momentin e votimit si ministra e humbin mandatin si deputet. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë, kjo pasi që nuk lejohet që të mbahen dy pozitat”, ka thënë Spahija.

Ndryshe LDK ka kërkuar që nesër të mbahet seanca për votimin e Qeverisë Hoti, e cila do të jetë në përbërje nga LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe dhe komunitetet jo serbe.

Kujtojmë se në zgjedhjet e tetorit, Albin Kurti kishte marrë 183,868 vota, pas tij Glauk Konjufca ishte më i votuari me 72,775 vota, Albulena Haxhiu kishte marrë 46,861 vota, Arben Vitia 26,074 vota, dhe Haki Abazi 15,922 vota.

Exit mobile version