Site icon Prishtinapress

Në QKUK i shpëtohet jeta një 21 vjeçari

Po vazhdon të zbatohet me sukses projekti nacional i Stroke Center, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se mbrëmë, një të riu 21 vjeçar, në fazën e hershme të humbjes së aftësisë së të folurit, të lëvizshmërisë së dorës dhe këmbës së djathtë, i është kryer trombektomia mekanike (heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike), rasti i dytë në Kosovë.

Ky intervenim është kryer në Klinikën e Radiologjisë, në bashkëpunim me Klinikën Emergjente, Klinikën e Neurologjisë dhe atë të Anestezionit, ku pas procedurës së kryer tek pacienti rezultoi me kthimin e menjëhershëm të lëvizshmërisë së humbur të gjymtyrëve.

Ekipi mjekësor përbëhej nga radiologët, Bujar Imeri, Ilir Bejta, Jeton Shatri udhëhequr nga Bujar Gjikolli, përkrahur nga ekipi i anestezionit Arjan Ademi, anestezisti Tafil Gashi, Nerxhivane Halimi, Gazmend Hasbahta dhe Shkëndije Nuza.

Me këtë procedurë po stabilizohen shërbimet e neuroradiologjisë intervente në Klinikën e Radiologjisë, duke ofruar mundësi pacientëve kosovarë të cilët këto shërbime nuk i kanë pasur më parë.

Për realizimin e këtyre procedurave, sistemi i shërbimeve shëndetësore në Kosovë duhet të jetë efektiv dhe reagimi duhet të bëhet para kalimit të dritares kohore prej 4-5 orëve nga fillimi i sulmit iskemik në tru.

Exit mobile version