Edhe një qytetar i Komunës së Kamenicës, i prekur nga coronavirusi, ka humbur jetën sot.
Ky është rasti i dytë nga Kamenica që ka humbur jetën sot nga COVID-19, e lajmin e bëri të ditur vetë kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, përmes një postimi në Facebook.
“Fatkeqësisht edhe një qytetar nga komuna jonë humbi betejën me #COVID19. Ky është rasti i dytë i konfirmuar sot nga IKShP që ka përfunduar me fatalitet, kurse numri i të vdekurve nga virusi SARS-CoV-2 ka arritë në tre. Pa dashur të shkaktoj panik, ju lus të gjithëve për kujdes! Respektoni udhëzimet sepse tani kujdesi ndaj vetes e njerëzve përreth varet prej nesh. Ngushëllime të sinqerta familjes!”, ka shkruar Kastrati.
Ndryshe, në Kosovë, gjatë 24 orëve të fundit, u regjistruan edhe 241 raste me koronavirus, bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Rastet e reja rezultuan nga testimi i 419 mostrave dhe numrin më të madh të tyre e ka Komuna e Prishtinës: 86 raste.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, gjashtë pacientë kanë humbur jetën.
Shifra e përgjithshme e viktimave një ditë më parë ka qenë 144, ndërsa sot është 150.