Në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari Aleksandar Rakiçeviq u shpreh se nuk e ndjen veten fajtor lidhur me veprat për të cilat akuzohet nga Prokuroria.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Rakiçeviq akuzohet se nga fillimi i vitit 2012 së bashku me të pandehurit Besim dhe Ismet Zeqiri dhe me të pandehurin Milan Radisavleviq (i cili gjendet në arrati), ka themeluar grupin kriminal të cilët janë marrë me kontrabandë të derivateve.
Bazuar në aktakuzë, grupi ka bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës ( 12.000 litra ), 2 ngarkesa me vaj hidrol (10.000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (me nga 7.000 litra).
Aktakuza shpjegon se i pandehuri Besim Zeqiri, si kreu i grupit që mallrat i kishte sjellë në Kosovë, ka mbikëqyrur dhe menaxhuar me grupin së bashku me tre të pandehurit e lartcekur.
Mallrat paraprakisht i kishin ruajtur në oborrin e personit Canbegut dhe në oborrin e personit të quajtur “Ali Daja“.
Po ashtu, edhe naftën e kontrabanduar e kishin ruajtur për pak kohë në këto vende, ndërsa në shumicën e rasteve këtë naftë e kishin dërguar në fshatin Bajshi në pompën e benzinës “Gold Benz“, pronë e Agron Zeqirit dhe djalit të tij Gentritit.
Me këtë Aleksandar Rakiçeviq akuzohet se ka kryer veprat penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.
Për këtë vepër penale sipas akuzës kanë kontribuar edhe Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Dukagjin Latifi, Azem Islami, Xhevat Spahija, Shkelqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazrek, Demë Lokaj, Alban Nikqi, Albion Lokaj, Gentrit Zymeri dhe Fadil Qollaku.
Ndaj të lartcekurve në Gjykatën e Mitrovicës është duke u zhvilluar shqyrtimi gjyqësor nën akuzën për kryerjen disa veprave penale që lidhen me krimin e organizuar.
Ndryshe seanca që u mbajt sot kishte dështuar të mbahet me 10 gusht dhe ishte shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit Abdurrahim Islami.
Ndërsa lidhur me këtë sot në seancë Islami ka deklaruar se edhe për atë seancë edhe për seancën e sotme është ftuar një ditë më herët nga ana e Gjykatës përmes telefonit dhe jo me ftesë të rregullt.
Prokurori Islami ka shtuar se konsideron se kjo formë e ftesës për seancë nuk është mënyra e duhur, duke cekur më pas se është paraqitur në seancë vetëm me qëllim të moszvarritjes së procedurës, pasi është duke punuar në një aktakuzë tjetër ndërsa në fund të kësaj jave përfundon mandatin e tij si prokuror, ngase ka arritur moshën e pensionimit.