Site icon Prishtinapress

Mustafa thotë se LDK nuk do të hezitojë ta pranojë mandatin për formimin e Qeverisë

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa s’e ka asnjë dilemë se do ta marrë mandatin për të formuar Qeverinë e re, posa të mandatohet nga Presidenti i vendit, bazuar në Kushtetutë.

Këtë qëndrim, ish-Kryeministri Mustafa e ka dhënë në kohën kur Vetëvendosje po refuzon të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re dhe Presidenti ka paralajmëruar se do t’ia kalojë partisë së dytë mandatin nëse dështon VV-ja.

“Në momenti që plotësohen kushtet kushtetuese që LDK-së t’i ofrohet mandati dhe të arrijmë pajtim me partnerët për kriteret, LDK pa asnjë hezitim do ta pranojë mandatin për formimin e qeverisë”, ka thënë Mustafa, për Gazetën Express.

Kryetari i LDK-së rikujtoi edhe kohën e VLAN-it të vitit 2014, kur LDK dhe LVV kërkonin që mandati për formimin t’i jipet partisë/grupacionit të dytë.

“Sa u përket kundërshtimeve, mund të rikujtoj opinionin se ishte LVV dhe LDK që në vitin 2014 argumentonin dhe kërkonin që mandati t’i ipet partisë/grupacionit të dytë duke e arsyetuar mbi bazë kushtetuese”, tha Mustafa.

Më shumë se tri javë kanë kaluar prej se Kosova është me Qeveri të shkarkuar pasi 2/3 e deputetëve të Kuvendit ia morën besimin “Koalicionit të Shpresës”.

Në këtë situatë, Isa Mustafa thotë se shtetit i duhet një Qeveri me mandat për t’u përballur me COVID-19 dhe krizën ekonomike, si pasojë e kësaj pandemie.

“Vendi duhet të ketë qeveri me mandat nga Kuvendi për tu përballur me virusin Corona dhe me sfidat e tjera që e presin”, shtoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK-ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si ‘Koalicioni i Shpresës’.

Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm 40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK’së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pastaj, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK-së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”.

Ndërkohë, ditëve të fundit, janë përmendur edhe protestat nëse Kurti largohet nga ulësja e Kryeministrit.

Por, këto paralajmërime s’i kanë bërë përshtypje Isa Mustafës, i cili ishte përballur me protestat e Vetëvendosjes sa ishte në pozitën e Kryeministrit.

“Sa u përket protestave të paralajmëruara, LDK s’mërzitet fare për atë punë. Bile aq më pak kur për protesta trumbetohet nga mercenarë politik, në emër të internacionales shqiptare. Të tillët s’guxojnë të protestojnë në vendet e tyre, kurse Kosovën e konsiderojnë poligon të pa dhimbshëm”, tha kryetari i LDK-së.

Exit mobile version