Site icon Prishtinapress

Mustafa reagon pas shkarkimit të Veliut, ultimatum për Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur të papranueshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit Agim Veliu.

Mustafa ka thënë se vendimi i Kurtit për shkarkimin e ministrit Veliu është shkelje e marrëveshjes së koalicionit, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu i ka dhënë Kurtit kohë që deri në fund të javës të anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut, si dhe ta largojë taksën 100 për qind.

“Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së”, ka thënë Mustafa në reagimin e tij në Facebook.

Mustafa ka pohuar se si kryetar i LDK-së, nuk është konsultuar me kryeministrin Kurti dhe se nuk i pranon arsyet e tij publike.

“Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim për heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka pohuar Mustafa.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkarkuar sot Agim Veliun nga pozita e tij si ministër i Punëve të Brendshme. Kurti ka shkarkuar Veliun pas deklaratës së tij lidhur me pandeminë e coronavirusit./Telegrafi/

Exit mobile version